Presidenti i Iranit, Ebraihim Raisi, duke folur në përvjetorin e dytë të vrasjes së Gjeneralit Qassem Soleimani nga Shtetet e Bashkuara, tha se ish-presidenti amerikan, Donald Trump, duhet të përballet me gjykim ose Teherani do të hakmerret.
Irani dhe grupet e lidhura me të në Irak e shtete të tjera kanë organizuar ceremoni për ta nderuar Soleimanin, komandant i Forcave Quds. Ai u vra më 3 janar 2020 përmes sulmit me dron në Irak, me urdhër të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
“Nëse Trumpi dhe (ish-sekretari i Shtetit) Pompeo nuk gjykohen në një gjykatë të drejtë për aktin kriminal të vrasjes së Gjeneralit Soleimani, myslimanët do ta marrin hakun e martirit tonë”, tha presidenti iranian në fjalimin e mbajtur të hënën.
“Agresori, vrasësi dhe fajtori kryesor – presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara – duhet të gjykohet sipas ligjit (islamik) të shpagimit dhe gjykimi i Zotit duhet të zbatohet kundër tij”, shtoi Raisi.
Sipas ligjeve islamike të Iranit, një person i dënuar për vrasje mund të ekzekutohet, pos nëse familja e viktimës pajtohet që t’i marrë të ashtuquajturat “paratë e gjakut” përmes një procesi të pajtimit.
Prokurori i përgjithshëm i Iranit, Mohammad Jafar Montazeri, i tha televizionit shtetëror se zyrtarët e sistemit të drejtësisë kanë komunikuar me autoritetet e nëntë shteteve, pas identifikimit të 127 të dyshuarve për rastin e vrasjes së Soleimanit, përfshirë 74 shtetas amerikanë. “Ish-presidenti kriminel (Trump) është në krye të listës”, tha ai.