Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i është përgjigjur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e cila mbrëmë në një debat televiziv hodhi akuza të ashpra në drejtim të tij për çështjen e Asociacionit.
Ajo në një intervistë në “Kanal10” tha mbrëmë se ish-kryeministri Mustafa dhe akterët tjerë të asaj kohe kanë të cilët kanë nënshkruar marrëveshjen e Asociacionit, “kanë rrezikuar raportet me miqtë ndërkombëtarë”.
E Isa Mustafa duke folur për lajmi.net ka thënë se “punët e shtetit nuk bëhen ashtu siç i komenton Osmani”.
Siç është shprehur Mustafa, marrëveshja e nënshkruar nga ai e njeh si “arbitër” kryesor Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për çështjen e Asociacionit.
Në këtë kontekst, Mustafa i ka ka çuar porosi Osmanit se punët e shetit nuk bëhen me “logjikën hajt se ndoshta”.
“Nuk bëhen punët e shtetit ashtu siç i komenton znj. Osmani. Dokumenti që unë e kam nënshkruar në vitin 2015 dhe kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Vuçiq, njeh si arbitër kryesor Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për çështje të Asociacionit. Këtë rol nuk e njeh marrëveshja e parë e ratifikuar në Kuvend. Prandaj punët e shtetit nuk bëhen në logjikën hajt se ndoshta… Ky është interpretim rruge dhe s’duhet të jetë i një individi që rastësisht është president”, ka thënë Mustafa.
Madje ai ka sfiduar të paren e shtetit që ta provojë nëse Serbia do ta nënshkruante një dokument ku e pranon rolin e Gjykatës Kushtetuese.
“Unë i them Vjosës, hajt provone edhe një herë, nëse Serbia e pranon rolin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe e nënshkruan një dokument të tillë apo tjetër”, ka thënë Mustafa .
Kujtojmë se Asociacioni i Komunave Serbe është temë aktuale ditëve të fundit.
Kjo pasi që SHBA-të dhe BE-ja po i kërkojnë me ngulm qeverisë së Kosovës që ta implementojë të njëjtin si pjesë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.