Ish-drejtoresha e Arsimit në kryeqytet nga radhët e PDK-së, Besianë Musmurati tha sot në ‘Kallxo Përnime’ se dosja të cilën e kishin marrë për këmbimin e pronës në Badovc i mungonin disa faqe.
Ajo në emisionin ‘Kallxo Përnime’ theksoi se problemet në koalicion me LDK-në kishin nisur shumë më herët dhe se rasti i Badovcit është vetëm ‘maja e icebergut”.
“Problemi i Badovcit është ‘maja e icebergut’, në çdo koalicion ka probleme, që nga fillimi ka pas probleme. Koordinimin për pikat në Kuvend Komunal ka shumë kohë që e kërkojmë. Pika për Badovcin nuk ka ardhur dy javë përpara, në dosjen për Badovcin kanë munguar faqe të dokumenteve që janë dërguar te asambleistët”, deklaroi Musmurati.
Sipas saj, LDK nuk i ka respektuar si partnerë pasi pikat janë dërguar shpesh 1 ditë më herët.
“Rasti për kujdestaritë e barnatoreve nuk është ditë për çfarë po votohet, është krijuar kaos në qytet”, shtoi më tej Musmurati.
Ndërsa në pyetjen se përse PDK nuk kishte folur për Badovcin para se rasti të publikohej në media tha se nuk e kanë pritur që LVV do ta siguronte kuorumin për këtë vendim dhe se prisnin që LDK të reflektonte.
“Nuk kemi numra me 10 asamblistë, nuk e kemi mundësuar kuorumin dhe se kemi pritur që LVV do merrte pjesë. Ne kemi besuar që do reflektoj partneri qeverisës dhe nuk do vazhdoj avazin e vjetër. Asamblistët e PDK-së nuk e ngritin dorën vetëm pse ka qejf Përparim Rama”, shtoi më tej Musmurati.
Këmbimi i pronës në zonën e mbrojtur në Badovc me pronën në lagjen ‘Prishtina e re’ si dhe moskoordinimi për rend të ditës u bë shkaktar i daljes së PDK-së nga koalicioni qeverisës në Prishtinë duke i hapur kështu rrugë LDK-së për krijim e një shumice të re në Kuvendin Komunal. PDK dhe LVV përmes një seancë të jashtëzakonshme me 08.02.2024 anuluan vendimin për këmbim të pronës në Badovc i cili ishte marrë me 21.12.2023. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, me 08.02.2024 ka deklaruar se procesi i këmbimit të pronës në zonën e mbrojtur në Badovc me pronën komunale në lagjen “Prishtina e Re” ka qenë brenda ligjit dhe si proces ka nisur në qeverisjen e kaluar. Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ theksoi se tashmë ish-partneri qeverisës PDK dhe asambleistët e tjerë kanë qenë të njoftuar për këtë pikë që ishte miratuar në Kuvend disa javë më herët.
“Këtu asgjë nuk ka qenë jashtëligjore. Pikat u dërgohen edhe asamblistëve që dërgohen për Kuvend, më pas mbahet edhe Komiteti për Politikë dhe Financa. Nuk ka pasur problem”, deklaroi Rama.