Thursday, November 28, 2024
HomeLajmeMurati për bllokimin e të hyrave vetanake të komunave: Po e zbatojmë...

Murati për bllokimin e të hyrave vetanake të komunave: Po e zbatojmë Ligjin që e keni miratuar ju si Kuvend

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur sot në Kuvend lidhur me bllokimin e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake, për çka reagoi sot Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri.

Murati ka thënë se kjo çështje rregullohet me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Ligjin për Buxhetin, duke shtuar se vetëm po e zbaton Ligjin që është miratuar në Kuvend.

“Kjo çështje rregullohet me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe përgjegjësitë, ku thuhet se të hyrat vetanake të pashpenzuara të komunës për vitin paraprak, barten në vitin vijues. Kjo gjë pastaj rregullohet edhe me Nenin 9, paragrafi 6 të Ligjit për Buxhetin, i cili e thotë të njëjtën gjë, pra që të hyrat vetanake nga viti 2022, barten në vitin 2023 dhe kjo është në tërësi në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Madje, nëse se u kujtohet, ka qenë pikërisht ky Nen, pra Neni 9, paragrafi 6 që është amandamentuar nga Grupi Parlamentar i LDK’së dhe është votuar edhe nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosje , dmth ka qenë një konsesus sa i përket atij amandamenti. Pra Ligji për Buxhetin e parasheh këtë gjë që po e thotë deputeti Tahiri dhe ne po e zbatojmë Ligjin që e keni miratuar ju si Kuvend, e madje nenin përkatës që e ka amandamentuar Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Murati.

Ndryshe, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake, raporton Express.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se janë 28.8 milionë euro të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon.

Ai ka kërkuar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, që urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në të kundërtën ka thënë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Rama.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments