Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një bashkëbisedim me gazetarët është pyetur se cilat janë pritjet e Amerikës nga Kosova, kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë dhe çka në rast se do të refuzohet implementimi i Asociacionit dhe marrëveshjes së Ohrit.
Escobar ka thënë se BE-ja e ka bërë të qartë, që nëse pranohet implementimi i marrëveshjes atëherë rruga për BE është shumë më e shpejt dhe nëse refuzohet i bie që po refuzohet Evropa].
Escobar ka thënë se nëse i kthehet shpina marrëveshjes, i bie që po i kthehet shpina Bashkimit Evropian, dhe se bashkë me një gjë të tillë vijnë edhe pasojat. Kur flet për pasojat, Escobar përmend jo-stabilitetin në raporte, mungesën e financave dhe përmend edhe mungesën e lëvizjes.
Emisari amerikan ka thënë se shpreson që të mos shkohet në një pikë të tillë, meqë përfitimet nga marrëveshja janë shumë të mëdha.
Ai përmend përfitimet që kanë pasur shtetet që janë futur në Bashkimin Evropian, edhe sa i përket demokratizimit, aspektit financiar e të tjera.
“Para se gjithash BE ka qenë shume e qartë. Nëse e pranon rruga për BE është shumë e shpejt, nëse e refuzon je duke e refuzuar Evropën. Ky është proces evropian, ky është dialogu. Udhërrëfyesi evropian, ajo është marrëveshja bazike. Me BE-në si arbitër. Nëse ia kthen shpinën kësaj marrëveshjeje, ia kthen shpinën BE-së. Me të gjitha pasojat që vijnë me të. Me gjithë jo-stabilitetin në raporte, mungesën e financave dhe mungesën e lëvizjes, kjo është saktë çfarë nënkupton. Shpresojmë që të mos shkojmë në këtë pikë, sepse përfitimet janë shumë të mëdha. Çdo vend që hyn për në BE është më demokratike dhe më i pasur, dhe më stabil. Nëse shikon tek fqinjët, Slloveninë, Kroacinë, s’mund ta mohosh që përfitimet janë reale. Këtë shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë, kjo është zgjidhja”, ka thënë Escobar