Sunday, January 19, 2025
HomeLajmeKosovaMuaji i shkapërderdhjes së diplomacisë kosovare

Muaji i shkapërderdhjes së diplomacisë kosovare

Diplomacia e Kosovës është duke përjetuar momentet më të vështira që nga shpallja e pavarësisë. Pikërisht kur Kurti po bënte një vizitë në Amerikë, që gjerësisht u vlerësua si e pasuksesshme, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës, kjo u bë pa një strategji dhe shqetësoi dhe miqtë e mirë të Kosovës, të cilat këshilluan që gjërat të ndryshojnë pasi diplomacia kosovare veproi si e ngrirë. Më poshtë mund ta lexoni analizën e Gazetës Express rreth këtyre zhvillimeve.

Albin Kurti sa ishte në opozitë, nuk ishte politikani i favorizuar i ndërkombëtarëve. Përdorimi i dhunës në protesta e dërgoi disa herë në burg, ndërsa kundërshtimi ndaj Planit Ahtisaari për pavarësinë e Kosovës e bëri pothuajse një politikan “non -grata”.

Qasja e tij çoi në një konfrontim të fortë sidomos me Ambasadoren Tina Kaidonoë e cila raportonte në hollësi në Washington  për atë që bënte Kurti këtu.  Diku më 2011 amerikanët kishin vendosur një kontakt me Kurtin. Atë e kishte takuar zyrtari i lartë i Departmentit të Shtetit te ShBA-se Thomas Countryman dhe Ambasadori Christopher Dell.

Por, gjërat ishin keqësuar më 2013 kur gjatë një proteste të Vetëvendosjes ambasadorja e SHBA’së Tracey Ann Jacobson.

Raportet e Kurtit me SHBA’në ishin festë për rivalët e Kurtit që mbanin pushtetin.

Qeveritë e atëhershme mezi fshihnin kënaqësinë për mungesën e ftesave për Kurtin në Ditën e Pavarësisë së Amerikës me 4 korrik, festën kryesore diplomatike në Kosovë, që konsiderohej barometër i afërsisë me SHBA-të.

Aty me vite të tëra shkonte Shpend Ahmeti e Visar Ymeri, por jo edhe Albin Kurti.

Por, rrethanat ndryshuan pak më vonë.

Ankesat e shumta për korrupsion nga trinomi PDK-LDK-AAK, implementimi i ngadalshëm i reformave nga partitë qeverisëse, arrestimi i krerëve të PDK-së nga Gjykata Speciale, por edhe ndryshimi në diskurs, pamje, dhe ikja nga dhuna si metodë e punës nga vet Kurti, krijoi një simpati të re tek diplomatët për Kurtin.

Ambasadorët britanikë, gjermanë sidomos, por edhe europianët tjerë prisnin një epokë të re dhe rifllim më intenziv të punës me Kurtin Kryeministër dhe Vjosa Osmanin në rolin e Presidentes.  Amerikanët po ashtu  ndryshuan pozicion. Anglishtja e rrjedhshme e dy lidereve te rinj shihej si përparësi. Përzgjedhja e ministres Donika Gërvalla Shwartz shihej edhe si nje tentative për një lidhje shtesë me Gjermaninë si suportues kryesor i Kosovës në BE.

Por, megjithatë, muaji i mjaltit diplomatik përfundoi për Qeverinë Kurti.

Muaji i kaluar doli të jetë një ndër periudhat më të rënda për diplomacinë kosovare dhe u shënua me porosi tejet negative nga QUINT’i, një vizitë e stërzgjatur në Amerikë e Kryeministrit Kurti që u bojkotua krejtësisht nga niveli i lartë qeverisës amerikan dhe pa efekte vizibile, një aplikim të çuditshëm për Këshill të Europës që as nuk hyri në agjendë të takimit të Këshillit të Europës, skandale të stafit dhe marrëdhënieve ndër-njerëzore brenda Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, dhe një ftohje të përgjithshme të krejt aleatëve të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Express mëson nga burime diplomatike që edhe President i Malit të Zi Djukanovic me një dashamirësi u ka transmetuar homologut të tij Presidentes Osmani si dhe Zëvendës Kryeministrit Besnik Bislimi përshtypjet për një defanzive kosovare në fushën e diplomacisë.

Siç duket, Djukanovic i ka paralajmëruar liderët kosovare se ofensiva lobuese e Serbisë në Bruksel dhe Uashington rrezikon ta izolojë Kosovën me aleatë kryesorë të frustruar me Qeverinë Kurti. Ky paralajmërim reflektohet në komunikimin e zyrtarëve perëndimorë. Ambasadori i ri amerikan në Beograd Chris Hill ka rrefuzuar ta kritikojë Presidentin Vuçiq, përkundër që Serbia ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Edhe zyrtarët europianë kanë reflektuar një tolerancë të caktuar për qëndrimin e Serbisë ndërsa kanë qenë shumë më kritik ndaj Kosovës. Kur Qeveria e Kosovës refuzoi kërkesën e shteteve të Quint’it për një kompromis rreth zgjedhjeve serbe në Kosovë, diplomacitë kryesore kritikuan ashpër qeverinë duke deklaruar bashkërisht se ”Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do të cenojë aspiratat evropiane.”

Në muajin maj Kosova vendosi të aplikojë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës. Kosova ka vite që kërkon anëtarësim në këtë trup dhe fillimisht ky aplikim gjeti në mirëkuptim, sidomos të qeverisë gjermane. Gërvalla publikoi vetëm një fotografi në ditën kur u dorëzua aplikacioni në qytetin francez, por nuk u pa në takime me ministra të jashtëm për të kërkuar përkrahje.

“Vizita ime e fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor më bëri të qartë se sa vendimtare është intensifikimi i bashkëpunimit tonë me këto shtete në këtë moment vendimtar. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim dëshirën e Kosovës për t’iu bashkuar familjes së shteteve anëtare të Këshillit të Europës”, ka thënë Ministrja e Jashtme gjermane Baerbock, sipas një postimi të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë në Twitter.

Megjithatë, entuziazmi i Qeverisë për Këshillin e Europës u shua gati krejtësisht disa javë më pak. Sot askush nuk e përmend këtë tentativë.  Kryeministri Kurti nuk e përdori kohën pas aplikimit për lobim ne Europë, por vajti në udhëtimin bizar tre-javësh në Amerikë, Qeveria franceze doli haptazi kundër aplikimit të Kosovës, ndërsa pos Kroacisë dhe Shqipërisë, asnjë shtet tjetër nuk doli me deklaratë formale në përkrahje të Kosovës, gjatë takimit ministror në Torino të Italisë në muajin maj.

Fare në fund, këtë javë edhe mikesha e madhe e Kosovës, eurodeputetja Viola Von Crammon e “gozhdoi”diplomacinë kosovare. Ajo u shpreh “tejet e zhgënjyer me Kosovën për aplikimin në Këshill të Evropës” në një intervistë. Raportuesja në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon poashtu tha që “çështja është dashur të mendohej më herët e të bëheshin më shumë punë për të arritur pranimin. Sipas saj, pranimi do të kushtëzohet me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për çështje të ndryshme, përfshirë atë për tokat rreth Manastirit të Deçanit.” Sipas saj, Kurti po “bën gjëra me kokëfortësi” dhe ka hedhur dyshime nëse “kjo është strategji e mençur.”

Në maj ishte edhe vizita e shumëpritur, shumëpërmendur Kurtit në SHBA, të cilën e kishte shtyrë dy herë këtë vizitë, dhe me javë të tëra, këshilltarët e afërt të Kurtit pëshpëritnin në kuloare se “Kurti ka takim të rëndësishëm në Uashington”. Në fund doli se Kurti nuk e pati vizitën më të sukseseshme që nodnjë lider kosovar mund ta ketë në kryeqytetin politik të botës. Ndërsa Hashim Thaçi si president dhe kryeministër takohej me nivelet më të larta, ndërsa me Presidentin Trump në Dhomën Ovale arriti të takohej edhe paraardhësi i Kurtit Avdullah Hoti. Gjatë qëndrimit atje, ai nuk pati asnjë takim në Departament të Shtetit ,por as në ndonjë nivel tjetër qeveritar.

Takimi me këshilltarin e Presidentit Biden Jack Sullivan dhe disa kongresistë nuk mund të ishte ngushëllim për një vizitë trejavëshe, e cila shkaktoi një mori komentesh për shkak të gjatësisë dhe fokusit të madh të Kurtit në luftën në Ukrainë, në kohën kur Kosova po përjeton momente të vështira në ekonomi, dialog por edhe në energjetikë.

Nuk dihet se cili do te jetë fokusi i diplomacisë kosovare në pjesën e dytë të këtij viti, derisa disa muaj na ndajnë nga gjysma e mandatit të qeverisjes Kurti. Ministria e Jashtme është bërë e pavërejtshme, me shumë pak vizita të ministres. Agjenda e saj duket e zbrazët, pa ndonjë përkrahje deklarative nga aleatët. Presidentja Osmani paralelisht ka tentuar të bënë diversifikimin e agjendës duke vizituar Panamën në Amerikën Qendrore, por sipas një komenti epik në rrjete sociale, kjo tentative për një lobim të zbehtë në rajone ku Kosova është zhdukur nga pejsazhi po vjen “too little too late” (shumë pak, shumë vonë”).

Një dritë në fund të tunelit mund të jetë liberalizimi i vizave, proces me rëndësi jetike për kosovarët (nëse ndodhë), por pa ndonjë ndërlidhje direkte me prioritetet e diplomacisë së Kosovës drejt njohjeve të reja, që tashmë janë stopuar, anëtarësimeve në organizata, që po dështojnë, dhe dialogut me Serbinë, që ka hyrë në status quo.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments