Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaMPJD-ja gazmore: Huqje pas huqje nga ministria e Donika Gërvallës

MPJD-ja gazmore: Huqje pas huqje nga ministria e Donika Gërvallës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konsiderohet si një pikat më të forta të një qeverie, për shkak të barrës së ndërtimit të imazhit ndërkombëtar dhe përfaqësimit të diplomacisë nëpër evente të ndryshme ndërkombëtare.

 

Megjithatë, MPJD-ja e qeverisë Kurti, në krye me Donika Gërvallën, përveç që nuk solli asnjë njohje e as aplikim në organizata ndërkombëtare përkundër mos-vazhdimit të moratoriumit nga ana e qeverisë kosovare, nxiti edhe momente gazmore.

Arritja e besimit të pesë vendeve skeptike të unionit evropian nga ana e diplomacisë kosovare ka qenë emëruesi i përbashkët i kërkesave të akterëve ndërkombëtar, në mënyrë të arritjes së liberalizimit të vizave për qytetarët. Skepticizmi i vendeve të BE-së buron nga frika e valës së migrantëve nga Kosova. Përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së kanë bërë thirrje në vazhdimësi në drejtim të institucioneve vendore për angazhim aktiv. Megjithatë, një thirrje e këtillë duket se hasi në vesh të shurdhër. Ministrja Gërvalla, kur u pyet se me cilat vende ka filluar hapjen e marrëdhënieve të reja diplomatike, përgjigja e saj ishte “tjetër herë”!

Institucionet qeveritare u dakorduan heshtazi që të mos e vazhdojnë marrëveshjen e moratoriumit, të arritur në kuadër të marrëveshjes së Washingtonit, e cila parasheh mos-lobimin për njohje të reja diplomatike dhe mos-aplikim në organizata ndërkombëtare për Kosovën. Megjithatë, janë bërë tre muaj që nga skadimi i kësaj marrëveshje dhe Kosova ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap diplomatik drejt njohjeve të reja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm.

“Këtë vit në përputhje me reformat e brendshme në realizim të perspektivës për anëtarësim në BE, ne bëjmë të ditur se vitin që vjen Kosova do të bëjë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Kurti.

Kosova aktualisht ka statusin e vendit kandidat potencial në raport me anëtarësimin e BE-së dhe ende nuk ka arritur ta fitojë statusin kandidat.

Huqjet gazmore dhe gafat diplomatike

Këtë vit, nga llogaria e kryediplomates Gërvalla dhe ministrisë që udhëheq ajo kanë rrjedhur huqje të njëpasnjëshme.

Ministrja Gërvalla duke shkruar për fatkeqësinë në Tetovë, ku pasi zjarri përfshiu spitalin Covid atje humbën jetën 14 persona, ngatërroi profilin e ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, duke përmendur krejt një Bujar Osmani tjetër.

Llogaria që udhëhiqet nga MPJD-ja vetëm një ditë më herët nga kjo gafë, në një postim ngatërroi flamurin e Andorrës me atë të Moldavisë, ku urohej dita e pavarësisë së Andorrës.

Megjithatë, huqjet nuk mbarojnë me kaq. Ministrja Gërvalla ngatërronte flamurin e Aleancës Ushtarake Veri-Atlantike të NATO-s, me atë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Teksa njoftonte takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, Gërvalla vendoste flamujt e OKB-së.

Huqjet e Gërvallës nuk kanë munguar as përgjatë zgjedhjeve lokale. Gërvalla i paraqiste kandidatët për Asamble të Komunës së Mitrovicës si të Komunës së Podujevës.

Vonesat e emërimeve të ambasadorëve

Me gjithë premtimin e Qeverisë se së shpejti do të emëroheshin ambasadorët e rinj, pas shkarkimit të 12 prej tyre, emërimi i tyre nuk ndodhi deri gati në fund të këtij viti.

Madje, anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme, pjesë të opozitës, kritikonin ashpër vonesën e emërimit të ambasadorëve.

Deputetja që është anëtare e këtij komisioni, Ariana Musliu-Shoshi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës i frikësohej vonesës së emërimit të ambasadorëve.

“Në komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë ende nuk ka ardh asnjë propozim për Ambasador. Tani kur e tërë bota është duke u përballë me valën e re të pandemisë e me probleme të shumta Ministrja e sheh më të rëndësishme të rrezitet në plazh e të mos merret me shtetin e vet i cili në më shumë se 80% të shteteve më datë 31 gusht do të mbesë pa ambasadorë”, deklaronte ajo.

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme, vlerësonte se qeveria po e neglizhon çështjen e emërimit të ambasadorëve, çka sipas saj mund të dëmtojë shtetin në arenën ndërkombëtare.

“Ne në komision nuk e kemi ende asnjë emër dhe siç e dini tashmë Kuvendi veç është në pushim veror dhe ne nuk do të kthehemi deri javën e tretë të shatorit Kuvendi veç është në pushim dhe kjo çështje është tepër e neglizhuar. Nëse nuk kanë pasur emra për akreditim, nuk është dashur të shkarkohen këta ambasadorë të cilët kanë pasur afat kohor që të qëndrojnë ende ambasadorë deri në gjetjen e ambasadorëve të rinj dhe jo të gjitha këto vende tani të mbetën vakant pa ambasadorë”, deklaronte ajo.

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, e vlerësonte tërë këtë proces si dëmtim të raporteve të Kosovës me shtetet mike.

Është pak e pakuptueshme pse e gjithë kjo vonesë sepse ambasadorët e kthyer kanë pasur një afat prej tre muajsh që të kthehen në Kosovë dhe gjatë këtij tremujori Ministria është dashur të ketë një plan dhe të përshpejtojë këtë proces, sepse nuk varet çdo gjë vetëm nga Ministria por edhe vendet pritëse, miratimi nga vendet pritëse, por Ministria ka mundur të përshpejtojë këtë proces sa më shumë që vonohet është më keq”, deklaronte ai.

Çka të bëhet?

Për situatën e politikës së jashtme dhe rekomandimet rreth saj kanë folur këtë muaj ekspertë të çështjeve ndërkombëtare për lajmi.net. Profesori universitar, Arben Fetoshi, pati thënë se pozita e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar është bllokuar shkaku i dialogut me Serbinë.

“Pra, pavarësisht se sa qeveria do të angazhohej për njohje të reja dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, nuk mendoj se mund të ketë rezultate për shkak të ndërlidhjes me dialogun. Nëse kemi parasysh zhvillimet e fundit në kontekstin gjeopolitik e gjeostrategjik, mendoj se qeveria duhet ta trajtojë me kujdes dhe përgjegjësi maksimale procesin e dialogut dhe raportet me Shtetet e Bashkuara”, deklaronte ai.

Mungesën e koordinimit të brendshëm politik e theksonte edhe profesori i së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku, duke e konsideruar politikën të jashtme si “natyrale” për çdo parti politikë që vjen në pushtet.

“Politika e jashtme nuk duhet të konceptohet të një konfiguracioni të caktuar qeverisës; politika e jashtme për Kosovën duhet të jetë çështje natyrale dhe, si e tillë, pozitë dhe opozitë duhet të marrin përgjegjësi në funksion të avancimit të Kosovës”, deklarohej ai.

Sovranitetin e Kosovës e njohin 117 shtete. Njohja e fundit është shënuar nga Izraeli, e arritur në kuadër të Marrëveshjes së Washingtonit.

Kosova aspirton që të bëhet pjesë e Organizatës së Kombeve te Bashkuara, BE-së, Këshillit të Evropës, OBSH-së, INTERPOL-it e UNESCO-s.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments