Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë në një përgjigje për gazetën Express kanë thënë se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës nuk e ndihmojnë arritjen e një qëndrimin unanim brenda BE-së sa i përket heqjes së masave ndaj Republikës së Kosovës.
Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të BE-së që nga qershori i vitit 2023. Vendimi për heqjen e tyre është në dorën e shteteve anëtare dhe për një gjë të tillë duhet unitet i plotë mes 27 shteteve të Bashkimit Everopian. Veprimet që ka bërë Qeveria e Kosovës në veri të vendit, e që nga aleatët janë kritikuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara e kanë dëmtuar pozicionin e Kosovës dhe kanë ndikuar negativisht në qëndrimin e disa shteteve anëtare sa i përket asaj nëse Kosovës duhet t’i hiqen masat.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë që drejtohet nga Tanja Fajon kanë thënë se shteti slloven dhe partnerët ndërkombëtarë në mënyrë të vazhdueshme kanë theksuar rëndësinë e një bashkëpunimi konstruktiv në kuadër të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit si e vetmja rrugë e vlefshme për Kosovën dhe Serbinë.
“Sllovenia, BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë kanë theksuar vazhdimisht rëndësinë e bashkëpunimit konstruktiv në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si e vetmja rrugë e mundshme për Kosovën dhe Serbinë”, kanë thënë nga MPJ-ja e Sllovenisë për gazetën Express.
Sllovenët thonë se në këtë qasje konstruktive që e kërkojnë përjashtohen hapat e pakoordinuar nga të dy palët dhe theksojnë se veprimet e pakoordinuara s’ndihmojnë për krijimin e konsensusit tek shtete anëtare për çështjen e masave që janë vendosur ndaj Republikës së Kosovës.
“Ne e kemi theksuar gjithmonë në mënyrë të qartë se një mënyrë e tillë veprimi përjashton hapat e pakoordinuar nga të dyja palët. Hapat e tillë nuk janë të favorshëm për ndërtimin e konsensusit midis shteteve anëtare të BE-së për masat për të cilat po pyesni”.
Në fund, MPJ sllovene thekson se Sllovenia gjithmonë ka avokuar për një qasje të balancuar në raport me Prishtinën dhe Beogradin.
Vendimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës në Veri të vendit kanë ndikuar për të keq edhe qëndrimin e Francës. Burime diplomatike nga Parisi javën e kaluar i kanë thënë se për shkak të veprimeve të tilla të cilat kanë prekur edhe drejtpërdrejtë jetën e serbëve lokalë, kanë bërë që Franca të dyshojë nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njëmend de-eskalimin, diçka që është kërkuar nga Bashkimi Evropian.
Italia e kryeministres Meloni është për heqje të masave, por për një heqje graduale. Ndërkohë nga Qeveria gjermane e kancelarit Scholz janë për heqje të masave, por theksojnë se për të ndodhur diçka e tillë duhet një unitet mes 27 shteteve anëtare.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Berlin në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit kishte kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës. Qeveria e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar diçka të tillë duke thënë se Kosova ka plotësuar kërkesa për deeskalim.