Mbi 60 kallëzime penale ndaj zyrtarëve publikë i ka dorëzuar këtë vit në Prokurorinë e Shtetit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Këto raste, kryesisht ndërlidhen me pasaktësitë e identifikuara gjatë verifikimit të deklaratave të pasurisë të dorëzuara vitin e kaluar. Ndonëse, vlerësohet se gjykatat po i trajtojnë më me prioritet rastet e marra nga Prokuroria, sipas monitoruesve të punës së institucioneve të drejtësisë, ka ende shumë për t’u bërë.
Drejtori i i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj bën të ditur se pas përfundimit të afatit për deklarim të pasurisë, i cili ishte i hapur deri në fund të marsit, janë rreth 4 mijë e 700 zyrtarë publikë që kanë deklaruar pasurinë për vitin 2022, ndërsa 20 zyrtarë publikë nuk e kanë shfrytëzuar këtë periudhë për të kryer obligimin.
Mosdeklarimi i pasurisë nga zyrtarët shtetërorë në Kosovë, sipas Kodit Penal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, porse deri më tash në asnjë rast nuk ka pasur dënim me burg. Gjobat janë 30 për qind e pagës mujore deri në 500 euro.
Buleshkaj thotë se deri më tash nuk kanë shqiptuar ndonjë gjobë, pasi janë duke bërë verifikimin final të zyrtarëve publikë që nuk e kanë deklaruar pasurinë.
“Për vitin e kaluar e kanë deklaruar rreth 4 mijë e 700 zyrtarë publikë, të cilët kanë qenë të obliguar për deklarimin e rregullt të pasurisë. Përveç tyre, janë edhe rreth 20, të cilët nuk e kanë deklaruar me kohë, por jemi duke bërë verifikimin final, nëse ata në një formë tjetër nga ajo elektronike, e cila ka qenë kryesorja këtë herë… Deri më tani nuk e kemi shqiptuar asnjë gjobë.
Jemi në procesin e verifikimit. Po besoj që ata që rezultojnë se nuk e kanë deklaruar pasurinë në asnjë formë, ne nga java e ardhshme do t’i shqiptojmë gjobat e para. Gjobat nuk janë të vogla, janë 30 për qind e pagës mujore deri në 500 euro”, thotë Buleshkaj derisa shton se sistemi elektronik e ka lehtësuar procesin.
Pas verifikimit të pasurisë dhe konstatimit se ka mospërputhje me atë çfarë është deklaruar dhe gjetjeve, Buleshkaj tregon se për periudhën nga 1 janar deri më 31 mars të këtij viti, kanë dorëzuar një numër të konsiderueshëm të rasteve në Prokurori.
“Ne këtë vit i kemi dorëzuar 60 raste në Prokurori, i cili nuk është numër shumë i madh, por është i rëndësishëm. Këto raste, kryesisht kanë rezultuar si rezultat i verifikimit të pasurisë që ka ndodhur në fundin e vitit të kaluar dhe pasi janë gjetur mospërputhje ka pësuar një proces I hetimit të këtyre rasteve dhe të gjitha ato që nuk kanë mundur të mbyllen për shkak të dallimeve të mëdha në deklarim të pasurisë, ne i kemi përcjell në Prokurorinë e shtetit për hetim”, thotë Buleshkaj.
Përkundër numrit të vogël të zyrtarëve shtetërorë që nuk e deklarojnë pasurinë, ushtrimit të detyrave nga APK dhe ngritjes së aktakuzave, dënimet e vogla dhe kryesisht me kusht nga ana e gjykatave sipas monitoruesve të punës së institucioneve të drejtësisë, po ndikojnë negativisht në rezultate.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë se dënimet pa pasoja juridike nuk po e arrijnë efektin, për të cilin është miratuar Ligji për deklarimin e pasurisë.
“Me vet faktin që kemi një numër të madh të ministrave që nuk e kanë deklaruar, kjo në njëfarë mënyre të tregon se sa pak respekt ka kjo qeveri për sundimin e ligjit, për përmbushjen e obligimeve që dalin nga ligji… Duhet të ndërrohet praktika, të ndërrohet standardi ku ministrat, zëvendësministrat s’kanë fare respekt me deklarimin e pasurisë dhe në njëfarë mënyre e injorojnë dhe nuk e deklarojnë të njëjtën. Në anën tjetër, një kritikë tjetër duhet t’iu jepet edhe vetë gjyqtarëve, të cilët si duket përmes dënimeve me gjoba po e shpallin të pavlefshëm tërë këtë ligj apo dispozitat që kanë të bëjnë me deklarimin e pasurisë. Kur dihet se dënimet me gjobë nuk kanë pasoja juridike, në njëfarë mënyre po i sabotojnë politikat, të cilat i miraton Kuvendi, po I sabotojnë obligimet që dalin për të ruajtur integritetin në radhë të parë të zyrtarit publik, por edhe të zyrës që ata përfaqësojnë, thotë ai.
Ndërsa, drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj thotë se ka edhe raste që kanë ankimuar në gjykatë.
“Nuk është që jemi shumë të kënaqur, por shohim progres në trajtimin e këtyre rasteve nga viti I kaluar. Ky është rasti i parë që ne kemi një ‘feedback’ apo informata kthyese se çka po ndodh me të gjitha këto kallëzime penale. Ne kemi filluar ta përdorim edhe mekanizmin e ankesës në Apel të kallëzimeve penale, të cilat sipas neve, janë hedhur poshtë pa të drejtë. I kemi të paktën dy raste të cilat i kemi ankimuar në Gjykatën e Apelit dhe për shkak që janë mbyllur, e sipas nesh, janë mbyllur pa të drejtë”, shton ai.
Në anën tjetër, drejtori i IKD-së adreson kritika edhe për Prokurorinë, për të cilën thotë se përdor standarde të dyfishta.
“Në bazë të monitorimit tonë, Prokuroria ka standarde të dyfishta, ku për një rast identik, nëse kemi të bëjmë me një prokuror të shtetit, i cili nuk e deklaron pasurinë si duhet, i njëjti amnistohet dhe ndaj tij pushohen hetimet, ndërsa për policë apo për zyrtarë të tjerë kemi aktakuza. Kështu që, në këtë drejtim edhe nëse e bën sistemin siç duhet, kur i njëjti po duhet të vihet në zbatim nga policia, nga gjykatat, nga prokuroria, atëherë po vërehen ato problemet, dallimet. Po vërehet një politikë e dyfishtë, ku në raste të caktuara amnistohen, në raste të caktuara zbatohet ligji siç është paraparë”, thotë ai.
Për zyrtarët publikë, të cilët janë dënuar me vendim të prerë nga gjykata, po kërkohet që të dorëhiqen nga pozitat përkatëse pasi që vlerësohet se secila shkelje mund të dëmtojë imazhin e publikut për institucionet e vendit.
Viola Bunjaku nga Lëvizja Fol konsideron se të gjithë zyrtarët shtetërorë që kanë marrë një vendim të prerë nga gjykata për fajësinë e tyre për vepër penale të korrupsionit, duhet të japin dorëheqje.
“Zyrtarët publikë, të cilët nuk e kanë deklaruar ende pasurinë, mendoj se ekzistojnë dispozitat ligjore të Ligjit për deklarimin e pasurisë, ku ata dënohen me gjobë deri në 500 euro për ata që nuk e kanë deklaruar pasurinë, mirëpo kur vijnë në shprehje veprat penale të korrupsionit, të cilat mund të ngrihen para gjykatës, mendoj që ata zyrtarë publikë që dënohen me dënim të prerë të gjykatës për vepër penale të korrupsionit, atëherë mendoj se duhet të largohen nga puna”, thotë ajo.
Përkundër sfidave, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj thotë se si agjenci janë duke bërë më të mirën e mundshme.
“Agjencia është duke bërë një punë të mirë, nuk mund të them që jemi duke bërë një punë të shkëlqyer, sepse nuk i kemi as kushtet e as burimet njerëzore, e as kushtet tjera teknike për një punë të shkëlqyeshme. Por, ka një progres. Nëse përpara kemi pasur një punë të mirë, nga viti I kaluar kemi bërë një punë shumë të mirë. Ka pasur një dyfishim të performancës të Agjencisë në trajtimin e rasteve. Ne si Agjenci besojmë se vonesa në trajtimin e rasteve është një formë e mohimit të të drejtës të atij zyrtari për ta pasur të trajtuar rastin e tij të trajtuar brenda një afati të caktuar”, shprehet Buleshkaj.
Nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit bëjnë të ditur se nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kanë pranuar gjithsej 254 lëndë.
“Prej tyre 212 lëndë kanë qenë në drejtim të veprës penale të mos raportimit ose raportimi i rremë I pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare, nga neni 430 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe 42 lëndë informata lidhur me këtë natyrë. Këto lëndë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit janë proceduar sipas kompetencës territoriale dhe lëndore në të gjitha prokuroritë kompetente. Sipas njoftimeve të siguruara janë ngritur 15 aktakuza dhe tjerat janë në procedim e sipër. Ndërsa, në 3 mujorin e parë të vitit 2023, janë pranuar gjithsejtë 58 lëndë me PPN-AKK, prej tyre 47 kallëzime penale dhe 11 informata.”
Sipas APK-së, gjatë vitit të kaluar gjykatat kanë trajtuar gjithsej 38 raste, ku për 37 prej tyre kanë marrë vendime fajësie. /KP/