Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaMolliqaj: Pushteti “Krejt dhe drejt” reduktohet tek një emër, dështimi i atribuohet...

Molliqaj: Pushteti “Krejt dhe drejt” reduktohet tek një emër, dështimi i atribuohet atij

Kreu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës Dardan Molliqaj ka komentuar mbi procesin zgjedhor të djeshëm duke thënë se “Inflacioni politik” ka sjellë rënie elektorale.

 

Molliqaj ka thënë se rënia e VV-së në këto zgjedhje ka ndodhur sepse këta të fundit nuk kanë kuadro dhe janë të reduktuar e të mbyllur tek një emër.

Ai tha se Kurti i ka shkaktuar inflacion fjalorit politik me thirrjet e tij për të votuar Mimoza Kusarin e Agim Bahtirin.

“I rëndë dhe me pasoja do të jetë inflacioni që Albin Kurti i ka shkaktuar fjalorit politik. A nuk ishte rrënqethëse të dëgjosh thirrjet për besnikëri teksa përkrahej Mimoza Kusari. Instrumentalizim e degradim i rëndë është edhe përdorimi i veglave si metaforë për frymëzim politik. Motorët e turbinat mund të tregojnë shpejtësi e efikasitet, por jo mendje e shpirt.”, ka shkruar Molliqaj.

Më tutje, ai ka thënë se gabimet e pushtetit aktual nuk do të mund të arsyetohen nga analogjia me gabimet e pushtetit të kaluar.

“Politika bëhet tash dhe këtu!”, ka shkruar ai.

Ky është postimi i tij i plotë:

Inflacioni politik sjell rënie elektorale
Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale përfundoi. Ishte vërtetë rreth. Pa garancë, pa domosdoshmëri, pa krye. Rreth i fushës së hapur, i demokracisë.
Leximi i parë i rezultateve pashmangshëm të çon tek dallimi i madh midis këtyre zgjedhjeve, dhe atyre që sollën pushtetin “Krejt dhe drejt!” Shumica flasin për dallimin midis zgjedhjeve lokale dhe atyre qendrore, duke argumentuar pastaj mbi mungesën e emrave e kuadrove për pushtetin “Krejt dhe Drejt!” Nëse pushteti i “referendumit” nuk paska kuadro, kjo nuk flet mirë për të as në nivelin qendror. Mbi të gjitha, kjo vetëm rastësi nuk mund të jetë. Pushteti “Krejt dhe Drejt!” është i reduktuar dhe i mbyllur tek një emër. Duke qenë kështu, ky është rezultati më i logjikshëm i bazës ideologjike e organizative të VV-së. Ndaj, qoftë suksesi, qoftë dështimi i atribuohen një emri të përveçëm. VV nuk njeh nocione si shumësia apo autonomia. Njeh rreshtin e bindjes, pavarësisht ideologjisë. Nga Mimoza Kusari tek Agim Bahtiri, rëndësi ka vija e rreshtit dhe mundësia për sukses.
I rëndë dhe me pasoja do të jetë inflacioni që Albin Kurti i ka shkaktuar fjalorit politik. A nuk ishte rrënqethëse të dëgjosh thirrjet për besnikëri teksa përkrahej Mimoza Kusari. Instrumentalizim e degradim i rëndë është edhe përdorimi i veglave si metaforë për frymëzim politik. Motorët e turbinat mund të tregojnë shpejtësi e efikasitet, por jo mendje e shpirt.
Siç duket ka një mosmarrëveshje mbi leximin e rezultateve të 14 shkurtit. Qytetarët nuk kanë votuar për ta zëvendësuar njerëzit duke vazhduar padrejtësitë. Ata janë hapa larg edhe nga shumë analiza të studiove televizive. Gabimet e pushtetit aktual nuk do të mund të arsyetohen nga analogjia me gabimet e pushtetin të kaluar. Politika bëhet tash dhe këtu!.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments