Mjekët kosovarë përmes sindikatës së shëndetësisë kanë dalë me një konkludim prej gjashtë pikash pas pakënaqësive të mëdha në lidhje me shtesat e ndara nga qeveria e Kosovës.
Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikatë për media nga Federata Sindikale e Shëndetësisë.
“Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës në mbledhjen e mbajtur me datë 02.09.2021 pas diskutimit në lidhje me situatën e krijuar me Pandeminë COVID-19 dhe Vendimeve të Qeverisë të marra me datë 25.08.2021 në lidhje me shtesat në pagë për të punësuarit në sektorin publik të indinjuar thellë parashtrojnë këto kërkesa”, thuhet në komunikatë.
Kërkesat e mjekëve:
Shtesat mbi pagë të rishqyrtohen dhe të mirret vendim për rritjen e shtesave të cilat duhet të paguhen në mënyrë retroaktive nga muaji Qershor 2021 deri në përfundimin e Pandemisë, jo më e ulët se 300 euro në të kundërtën pason Padia për shkelje të Ligjit nr. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës;
Urgjentisht të procedohet Ligji mbi pagat(ju rikutojmë se në Planin Legjislativ për vitin 2021 është paraparë të aprovohet në Qeveri me datë 29.10.2021) dhe të ftohen përfaqësuesit e punëtorëve shëndetësor;
Ligji i Pagave të aprovohet brenda këtij viti dhe të filloj së implementuari nga muaji Janar i vitit 2022;
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës pret përgjigje deri me datë 13.09.2021 nga Kryeministri duke respektuar situatën me Pandeminë COVID-19;
Nëse Kryeministri nuk reflekton FSSHK do të ftojë të gjitha organizatat simotra që të na bashkëngjiten në manifestimin tonë sindikal.
Duke i shprehur ngushëllime të gjitha familjarëve të viktimave nga COVID-19 dhe të gjithë infektuarve shërim të shpejtë si pasojë e keqmenaxhimit, i lutemi popullatës që të vaksinohen dhe të na mirëkuptojnë sepse edhe ne jemi njerëz e kemi familje.