Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeMitrovica e Veriut kërkoi t’i bashkohet, Asociacioni i Komunave ia tregon procedurat

Mitrovica e Veriut kërkoi t’i bashkohet, Asociacioni i Komunave ia tregon procedurat

Në kohën kur thirrja e ndërkombëtarëve për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe po përsëritet pothuajse çdo ditë, kryetarët e sapozgjedhur të këtyre komunave po ndjekin tjetër rrugë. Ata po kërkojnë të anëtarësohen në Asociacionin ekzistues të Komunave të Kosovës. I pari që ka nisur procedurat është Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Shembullin e tij ka thënë se do ta ndjek shpejt edhe ai i Zubin Potokut. Nga AKK kanë shpjeguar procedurat që duhet t’i ndjekin këto komuna për t’u anëtarësuar.

Mitrovica e Veriut, komunë me shumicë serbe, ka nisur procedurat për t’u anëtarësuar në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Përmes një shkrese drejtuar Asociacionit, Kryetari Erden Atiq, ka kërkuar që komuna që ai e drejton të bëhet pjesë e AKK’së.

“Si kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut, ju njoftoj se me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të interesave të përbashkëta komunale, bazuar në nenin 31 dhe 32 të Ligjit për qeverisjen lokale, në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kemi filluar procedurat për anëtarësim të komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës”, thuhet në shkresë.

Për këtë kërkesë, Asociacioni i ka kthyer menjëherë përgjigje. Drejtori i AKK’së, Sazan Ibrahimi, i ka thënë Gazetës Express se i kanë kthyer përgjigje Atiqit, duke ia dërguar udhëzuesin lidhur me procedurat që duhet të ndiqen.

“E kemi pranuar ne dje kërkesën e kryetarit, e kemi shqyrtuar dhe ia kemi kthyer përgjigjen menjëherë dje, me procedurat që duhet me i ba Komuna e Mitrovicës Veriore për anëtarësim në Asociacion. Ne ia kemi tregu udhëzuesin në bazë të statutit tonë, se qysh bëhet pranimi në Asociacionin e Komunave sepse i kemi rregullat që duhet me u përmbajtë”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka shpjeguar edhe se cilat janë këto procedura. Sipas Ibrahimit, fillimisht Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut duhet të dalë me vendim që po dëshiron të bëhet pjesë e Asociacionit. Më pas thotë se ky vendim shkon te niveli qendror për shqyrtim të ligjshmërisë dhe se pastaj i kthehet Asociacionit, ku edhe merret vendimi.

“Në bazë të statutit të Asociacionit, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut duhet me marr vendim që po do me u pranu në Asociacion, edhe vendimi shkon pastaj për shqyrtim të ligjshmërisë në institucionet qendrore, vjen te ne, edhe kryhet puna. Kuvendi i Asociacionit e merr pastaj vendimin”, ka thënë Ibrahimi”, ka shpjeguar Ibrahimi.

Foto nga një mbledhje e Asociacionit të Komunave të Kosovës

Nga katër komunat me shumicë serbe në veri, deri tani kërkesë për t’u anëtarësuar në Asociacion ka bërë vetëm Mitrovica e Veriut. Ibrahimi shpreson që shpejt do të bashkangjiten edhe komunat tjera.

“Jo, ende nuk kanë ba. Vetëm Kryetari ka qenë andej i pari prej pjesës veriore. Ne po shpresojmë si Asociacion që së shpejti të gjitha komunat e pjesës veriore do të bashkangjiten, sepse është në dobi të komunave.”.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me tre kryetarët e komunave të tjera. I vetmi që është përgjigjur është ai i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Zeqiri i ka thënë Gazetës Express se së shpejti do të drejtohen me një kërkesë të tillë, meqë janë më mbrapa me procedura.

“Po, me siguri. Ne jemi pak ma mbrapa edhe me disa procedura, siç e dini ata e kanë filluar punën më herët. Besoj që edhe ne do t’i bëjmë ato. Së shpejti”, ka thënë Zeqiri.

Kryetari i Leposaviqit dhe ai i Zveçanit nuk janë përgjigjur lidhur me këtë çështje.

Ndryshe, kërkesa e Atiq vjen në kohën kur situata në veri është goxha e tensionuar. Nga dita e premte, serbët lokalë kanë nisur protestat.

Qytetarët serbë bllokuan hyrjen e objekteve komunale, ditën që kryetarët e komunave do të fillonin punën. Ata arritën që të futeshin nëpër zyre, vetëm pas asistimit të Policisë së Kosovës.

Situata ishte më e qetë gjatë vikendit, por që u përkeqësua të hënën, kur protestuesit u përplasën me pjesëtarë të KFOR’it. Nga kjo përplasje, mbetën të lënduar rreth 30 ushtarë të KFOR.

Lëndimet e tyre përfshijnë fraktura të gjymtyrëve, djegie, ndërkohë që 3 ushtarë hungarez janë të plagosur me armë zjarri.

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka deklaruar se po të mos ndërhynte KFOR’i në veri, “tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”.

Këtë deklaratë, Ristuccia e ka dhënë dje në një intervistë për gazetën italiane “La Republica”.

“Nëse nuk do të kishim ndërhyrë, tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”, ka deklaruar Ristuccia.

Ai ka thënë se në Zveçan ka pasur njerëz të cilët “me qëllim e kanë nxitur turmën” e banorëve serbë të cilët janë mbledhur prej katër ditësh para objektit komunal.

Protestat në veri janë duke vazhduar edhe sot./

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments