Bora mund të befasojë shumë rrugë nacionale dhe rajonale të Kosovës. Kjo ngase Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës- MMPHI nuk ka arritur akoma të nënshkruaj të gjitha kontratat me kompanitë që do të mirëmbajnë rrugët.
Qeveria e re e nivelit qendror i ishte qasur zhurmshëm punëve. Me të marrë detyrën, Hysen Durmishi, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës- MMPHI kishte njoftuar se ishte anuluar procedura e prokurimit për projektin “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021-2024”. Me arsyetimin se ishin bërë favorizime dhe po kurseheshin shumë para, ministria shpalli ofertë të re. U shpallën edhe fituesit për tenderin që ishte ndarë në 14 lote për 6 rajonet e Kosovës. Secilin rajon nga dy lot. Por, procesi ka stopuar, pasi dyshimet janë se ministria bëri vlerësim në kundërshtim për shumë oferta, shkruan lajmi.net.
Për Gjilanin nuk ka arritur të nënshkruhet akoma kontrata për lot 1, për Prishtinën për lot 1 dhe 2, për Ferizajn, lot 1 dhe Gjakovën lot 1. Kjo, pasi kompanitë janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit për shkelje ligjore gjatë vlerësimit të ofertave nga ana e komisionit të ministrisë, dhe organi gjyqësor i prokurimit nuk ka marrë një vendim pasi akoma nuk e ka zgjedhur Panelin Shqyrtues, i cili është përgjegjës të jap verdiktin final.
Për 9 pjesët tjera të tenderit nuk ka pasur ankesa dhe nuk dihet nëse janë nënshkruar kontratat, pasi në ministri kanë refuzuar të flasin lidhur më këtë çështje për kundër insistimit të lajmi.net. Ndërkohë, as në e-prokurim akoma nuk ka ndonjë njoftim për nënshkrimi të kontratave.
Derisa kompanitë janë ankuar në OSHP për shkelje të ligjit, ky institucion pati angazhuar ekspertin e vetë për të shoshitur të gjitha pretendimet. I njëjti gjatë ekzaminimit të lëndës ka konkluduar se ministria ka bërë shkelje në dy lote të tenderit duke favorizuar operator të caktuar me çmim më të shtrenjtë, i cili me pas ka rekomanduar që ato dy pjesë të anulohen dhe të vlerësohen ofertat edhe njëherë, ndërsa në tri raste tjera u ka dhënë të drejtë kompanive pjesërisht.
“Autoriteti kontraktues gjatë ekzaminimit, vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve nuk ka respektuar në tersi dispozitat e nenit 59, 60, 65 dhe 69 të LPP.
Në pjesët për Prishtina, lot 2 dhe Ferizaj lot 1 janë eliminuar kompanitë të cilat kanë ofruar çmim më të ulët sipas nenit 60 të LPP-së. Po ashtu është rekomanduar për kontratë OE i cili është në kundërshtim me dispozitat e nenit 65 të LPP.
Bazuar në të dhënat e sqaruara më lartë, eksperti shqyrtues i propozon Panelit shqyrtues që ankesat e ankesat e të gjithë operatorëve ankues: “Victoria Invest Internacional”, “Tali”, “Via, “Integral”, “Saba Belca” dhe “Sallahu & Salillari”, të aprovohen Pjesërisht.
Eksperti shqyrtues në përputhje me nenin 112, pika 2 të LPP-së, rekomandon autoritetin kontraktues që pjesët Gjakova, lot 1, Gjilani lot 1 dhe Prishtina, lot 1 të vazhdojë më dhënie të kontratës, ndërsa për pjesët Prishtina, lot 2 dhe Ferizaj lot q të beje Rivlerësimin e ofertave”, thuhet në mendimin e ekspertit shqyrtues.
Ndërkohë, që vendim të panelit nuk ka akoma dhe lënda ka stopuar në atë pikë.
Ministria e Infrastrukturës ka shpallur fituesit për tenderin “Mirëmbajtja verore dhe dimërore 2021, 2022” në rrugët nacionale dhe rajonale” në korrik të këtij viti.
Pasi u anulua ai parapraku që ishte hapur në kohën e ministrit Arban Abrashi, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – MMPH ka përzgjedhur kompanitë.
Dokumenti i publikuar nga ministria kishte pësuar disa ndryshime kundruall njoftimit paraprak
Tenderi i anuluar peshonte 44 milionë euro dhe ishte kornizë për tri vite. Tash, ministria ka vendosur që kontratat të jenë vetëm një vjeçare dhe vlera e parashikuar ka qenë 11 669 471,34 eurove.
Ministria ka vlerësuar ofertat e 39 grupeve të operatorëve ekonomik dhe në fund ka vendosur për 14 grupe të kompanive në konzorcium. Vlera totale e ofertave është 9 milionë e 060 mijë e 635 euro.
Grupet e operatoreve të shpallur si të përgjegjshëm sipas kërkesave të ministrisë janë:
Regjioni i Prishtinës, lot 1, “Bujar Shabani bi & “Adnan Bislimi BI”& “Dashamir Jashari BI” &”Varna” në vlerë prej 1074659, 52 euro.
Regjioni i Prishtinës. Lot 2, “Arbotec”, në vlerë prej 689323,30 euro.
Regjini i Ferizajt, lot 1 grupi i kompanive “Sallhu”& “Salillari” në vlerë prej 449960,43 euro
Regjioni i Ferizajt, lot 2 “Damastion Project” në vlerë prej 398668, 04 euro.
Regjioni i Gjilanit, lot 1 “El-Bau”& “Sky –Group” & “Eing Com” në vlerë prej 683116, 92 euro.
Regjioni i Gjilanit, lot 2 “Jaha Company” & “Toifor”, me çmim prej 596979, 64 euro.
Regjioni i Pejës, lot 1 “Lika Trade”, në vlerë prej 786145,50 euro.
Regjioni i Pejës, lot 2 “Graniti”, në vlerë prej 674687,30 euro.
Regjioni i Gjakovës, lot 1 “Papenburg&Adriana Company” &Fidaie Bytyqi B.I”, & “Marsi”, në vlerë prej 540096,17 euro.
Regjioni i Gjakovës, lot2, “RSM Company”, në vlerë prej 540466,90 euro.
Regjioni i Mitrovicës, lot1 “Milenium Konstruksion”& “Niti-N”, në vlerë prej 714001,69 euro.
Regjioni i Mitrovicës, lot 2 “B Corp” & “Europa Pasrtners” & “Rad D.O.O”, në vlerë prej 574015, 09 euro.
Regjioni i Prizrenit, lot 1 “Famis Co-HC”, në vlerë prej 593741,44 euro.
Regjioni i Prizrenit, lot 2 “A2Group” & “A.B.C”, në vlerë prej 744744,78 euro.
Hysen Durmishi, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – MMPHI në një konferencë për media kishte njoftuar se ishte anuluar procedura e prokurimit për projektin “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021-2024”.
“Vlera e parashikuar e këtij projekti është 44 milion euro. Janë dy arsye pse ne e kemi anuluar këtë procedurë në këtë fazë. E para ka të bëjë me atë se ky projekt parashihet që të jetë kontratë kornizë tri vjeçare dhe nuk mund t’a ndryshojmë më pasi të lidhen kontratat. Ne jemi të interesuar që të bëjmë ndryshime edhe në pozicione të paramasës e po ashtu edhe në kriteret teknike. Në vitet e fundit kemi një zhvillim të hovshëm të teknologjisë së ndërtimit të rrugëve prandaj ky zhvillim duhet të jetë present edhe në rrugët tona. Kjo është arsyeja e parë që ne do të intervenojmë në pozicionet e paramasës në mënyrë që edhe mirëmbajtja të jetë shumë më cilësore në vitet në vazhdim ashtu siç do të jetë shumë më cilësor secili investim në të ardhmen. Pra ne jemi të interesuar që rrugët tona të jenë më të sigurta duke përdorur teknologjinë më të avansuar për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tyre”, kishte thënë Durmishi.
“Arsyeja e dytë ka të bëjë me kriteret teknike të cilat duhet ti ndryshojmë në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje dhe konkurencë më të madhe në mes kompanive. Kriteret do të jenë të tilla që të kenë mundësi më shumë kompani të marrin punë dhe jo siç ka ndodhur në të kaluarën kur paraprakisht është ditur se cilat kompani do të fitojnë. Tani kjo praktikë shumë e keqe që është vendosur nga qeveritë e kaluara dhe ministrat e kësaj ministrie do të ndryshoj përfundimisht!”, kishte shtuar tutje ai.
Me datë 11 shkurt 2021, ministria që udhëhiqej nga Arban Abrashi kishte bërë njoftim për kontratë për këtë aktivitet të prokurimit.