Deputetja Drita Millaku dje publikisht ka treguar se synon të garojë për kryetare të Prizrenit në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë. Megjithatë për këtë vendim të saj nuk janë në dijeni Dega e VV-së në Prizren që drejtohet deputeti Artan Abrashi. Në dijeni si duket nuk ishte as kryetari aktual dhe bashkëpartiaku i saj Mytaher Haskuka. Se a kandidoi me vetiniciativë apo me mbështetje të partisë nuk e konfirmoi as vetë Millaku. Të heshtur lidhur me këtë janë edhe në Selinë Qendrore të VV-së në Prishtinë.
“E dua Prizrenin, çdo rrugicë, çdo lagje, çdo fshat e çdo skaj të tij. Jetoj çdo ditë pranë historisë, harmonis, kulturës e traditës së këtij qyteti historik”.
Me këto fjalë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje , Drita Millaku, nis njoftimin e saj ku tregon se do të kandidojë për kryetare të Prizrenit, shkruan Gazeta Express.
E nëse i jepet mundësia që ajo të jetë e zgjedhura e VV-së për Prizrenin, Millaku e dha fjalën dhe besën që do t’i shërbejë me ndershmëri të gjithë prizrenasve pa dallim rajoni, kombësie dhe feje.
“Në prag të zgjedhjeve lokale të vjeshtës para organeve të Lëvizjes dhe para aktivistëve dua të paraqes kandidaturën time për kryetare të komunës së Prizrenit. E dua Prizrenin, çdo rrugicë, çdo lagje, çdo fshat e çdo skaj të tij. Jetoj çdo ditë pranë historisë, harmonis, kulturës e traditës së këtij qyteti historik. Nëse më jepet mundësia të garojë si kandidate e Levizjes e jap fjalën dhe besën se me tërë qenien time do ti përkushtohem punës për ti shërbyer me ndershmëri të gjithë qytetarëve të Prizrenit pa dallim rajoni, kombësie dhe feje”, ka shkruar ajo dje në një postim në “Facebook”.
Por për një synim të tillë të Millakut, nuk janë në dijeni Dega e VV-së në Prizren.
Kryetari i Degës së LVV-së në Prizren, Artan Abrashi, ka thënë për Express se zyrtarisht nuk kanë hapur ndonjë afat për të shpallur kandidaturën për kryetar komune.
Ai pohoi se kandidimin e Millakut për kryetare e ka parë si gjithë të tjerët.
“Edhe unë si ju e pash atë lajm për kandidim por diçka zyrtare ende nuk ka. Nuk e di nëse ka kandidatë të tjerë, por tash sa më shumë që i afrohemi zgjedhjeve dhe besoj që do e shohim më mirë. Është herët me fol për ta”, ka thënë ai për Express.
Ai deklaroi se javën e ardhshme kjo çështje do të qartësohet edhe në nivel të Degës.
“Ne zyrtarisht nuk e kemi ndonjë afat të hapur për kandidatura proceduralisht. Është mirë me bisedu me të sepse është në të drejtën e secilit kandidimi. Dega për momentin nuk është se ka pasur një diskutim për sa i përket zgjedhjeve lokale. Është në të drejtën e kandidatëve tanë pasi që veç jemi duke hyrë në zgjedhjet lokale. Javën tjetër do ta qartësojmë këtë çështje”, ka thënë ai për Gazetën.
Më tutje Abrashi pohoi se nuk ka informacione nëse ka edhe pretendentë të tjerë nga LVV-ja për kryetar të Prizrenit.
Express gjithashtu gjatë tërë ditës ka provuar që të kontaktojë me deputeten Millaku dhe me Selinë Qendrore të VV-së në Prishtinë, por të njëjtit nuk u janë përgjigjur thirrjeve dhe pyetjeve të Gazetës Express.
Për Express nuk ka folur as kryetari i komunës së Prizrenit që vjen nga LVV-ja.
Megjithatë për këtë çështje Haskuka sot u pyet gjatë një konference për media të mbajtur në Prizren.
Pavarësisht insistimit të gazetarëve që të marrin një qëndrim nga Haskuka, i cili është pretendent edhe për një mandat të dytë në Prizren, i njëjti nuk është përgjigjur me arsyetimin se kjo nuk është temë e konferencës.
Madje e njëjta pyetje e nervozoi pak atë pasi iu parashtrua tri herë, gjatë një konference kur po fliste për zbatimin e L𝗶𝗴𝗷𝗶t 𝗡𝗿. 𝟬𝟲/𝗟-𝟬𝟵𝟮 𝗽𝗲̈𝗿 𝗗𝗵𝗲̈𝗻𝗶𝗲𝗻 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗵𝗳𝗿𝘆𝘁𝗲̈𝘇𝗶𝗺 𝗱𝗵𝗲 𝗞𝗲̈𝗺𝗯𝗶𝗺𝗶𝗻 𝗲 𝗣𝗿𝗼𝗻𝗲̈𝘀 𝘀𝗲̈ 𝗣𝗮𝗹𝘂𝗮𝗷𝘁𝘀𝗵𝗺𝗲 𝘁𝗲̈ 𝗞𝗼𝗺𝘂𝗻𝗲̈𝘀.
LVV-ja ka udhëhequr me Prizrenin në këto katër vitet e fundit. E kur Haskukës po i afrohet fundi i mandatit, kanë dalë në shesh edhe përplasjet e mosjaptimet që ky i fundit ka me asamblistët e VV’së atje. Haskuka s’fundi ka akuzuar ata për bashkëpunim me PDK’në e LDK’në, derisa Karanfil Haxhillari, asamblist i VV’së në Prizren, i ka reaguar Haskukës duke e akuzuar se ka injoruar deputetët e VV’së në Asamblenë e Prizrenit. Madje ishte paralajmëruar se kjo çështje do të diskutohet edhe në organet e partisë