Zyra Kombëtare e Audimit, ka ndryshuar Raportin Kombëtar të Auditimit dy muaj pas publikimit në faqen zyrtare i cili kishte gjetur mbi 31 milionë euro shpenzime të Qeverisë në karburante.
Fillimisht, e gjithë kjo ndodhi kur në emisionin Pressing, deputetja Hykmete Bajrami, citoi raportin zytar të Zyrës Kombëtare të Audimit, i cili tregonte se Qeveria ka shpenzuar 31 milionë euro për karburante.
“Më lejoni të ju them këtë, në faqen 42 të Raportit të Zyres Kombëtare të Auditimit. Furnizimet mjekësorë janë 51 milionë, në vitin 2023. Shpenzimet e karburantit, 31 milionë. 31 milionë të krejt qeverisë”, tha Bajrami.
Ministri Hekuran Murati reagoi duke e quajtur këtë si lajm të rremë, anipse në fund të reagmit të tij thotë se ‘duhet të jetë përmbledhje e kategorisë së lëndëve djegëse, ku pastaj hyjnë edhe nafta për ngrohje apo drutë e zjarrit’.
“Për dallim prej teje, që se ke problem të baltosësh institucionet në kuadër të fushatës së pistë që po bëni, unë dua të besoj në integritetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, dhe që shifra prej 31 milionë eurove, ose duhet të jetë ndonjë lëshim teknik, ose duhet të jetë përmbledhje e kategorisë së lëndëve djegëse, ku pastaj hyjnë edhe nafta për ngrohje apo drutë e zjarrit”, tha Murati.
Pas disa shkëmbime statusesh mes Muratit e Bajramit, Zyra Kombëtare e Auditimit, i ka dërguar email kësaj të fundit, me Raportin e korrigjuar.
”Po ua rikujtoj se në krye të Zyrës Kombëtare të Auditorit e keni një zonjë që është motra e Këshilltares së Kryeministrit dhe nuk befasohem nëse ajo del edhe kundër raportit të saj e ju mbron juve”, shkroi Bajrami para se të kryhet korigjimi.
Lidhja Demokratike e Kosovës thirri menjëherë konferencë për media ku e denoncoisiç u tha falsifikimin e dokumentit ndërsa i kërkoi prokurorisë ta hetojë këtë që e quajti krim të rëndë.
“Që shkojnë deri në atë pikë sa ta detyrojnë Zyren e Auditorit që të “korigjoj” vetveten, është nivel i ri i abuzimit. 9 shkurti nuk është larg. Kësaj marrëzie po i vie fundi”, tha Çitaku.
Pas gjithë kësaj u lajmërua edhe Zyra Kombëtare e Auditimit, e cila doli me një sqarim në Facebook ku tha se ky gabim teknik nuk ka pasur ndikim dhe shtoi se shpenzimet e karburantit të veturave zyrtare janë 10,471,000 euro.
Shifrën e njëjtë gjatë ditës e përmendi edhe Ministri Hekuran Murati.
“Sipas dëshmive të auditorit, vlera e korrigjuar për 2023 për karburante përfshin shpenzimet për vetura në vlerën 10,471,000 €, naftën për ngrohje qendrore 7,590,000 €, mazutin 833, 000 €, derivatet për gjeneratorë 520,000 €, dru 8,288, 000 € si dhe vaj 208, 000 €”, thuhet në sqarimin e ZKA.