Drejtori i Institutit Kosovar për Drejtësi, z.Ehat Miftaraj, thotë se deklaratat e Liburn Aliut për ‘Kosovën si projekt i përkohshëm’, tregojnë se Vetëvendosje miraton edhe ligje në kundërshtim me Kushtetutën me qëllim shkatërrimin e strukturës së shtetit.
‘Liburni po na tregon se çka LVV mendon në nëndije dhe si po vepron në praktikë. Kjo na dëshmon se pse LVV miraton ligje në kundërshtim me Kushtetute dhe që kanë për qëllim shkatërrimim e strukturës së shtetit.
Kjo dëshmon pse LVV merr afër vetes individë që prioritet e kanë përfitimin financiar dhe promovimin e interesave personale.
Sa mirë që Gjykata Kushtetuese po e pengon në këtë rrugë shtet shkatërruese’, shkruan Miftaraj.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka vazhduar t’i qëndrojë mbrapa deklaratës se për të, shteti i pavarur i Kosovës është projekt i përkohshëm.
Aliu në një prononcim për Klankosova.tv tha se për të Kosova është proces kalimtar drejt bashkimit me Shqipërinë.
“E konfirmoj që për mua Kosova, në rrethanën në të cilën është, me Kushtetutë e këto gjëra, është projekt i përkohshëm. Është proces kalimtar drejt bashkimit me Shqipëri. Sqarimet më tej i bëjmë bashkë kur të kthehem në Kosovë”, tha Aliu,
Për deklaratën e Aliut, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se është njoftuar nga zëdhënësi i tij, Përparim Kryeziu.
“Më tha që ai ka qenë një emision, le të themi festiv, në ditët e festës së Flamurit dhe Pavarësisë, 28 Nëntorit”, tha Kurti gjatë një vizite në Gjilan.