Nuk ka anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian pa e zgjidhur çështjen me Kosovën.
Ky është mesazhi i vizitës së kancelares Gjermane Angela Merkel, gjatë vizitës së saj në Beograd gjatë ditës së djeshme.
Kjo sipas njohëses së çështjeve politike Jehona Lushaku, është një kontinuitet i politikës së jashtme gjermane përgjatë viteve.
Ajo në emisionin Info Magazine në Klan Kosova tha se nuk do të ketë anëtarësim të Serbisë në BE nëse nuk ka gatishmëri për ta zgjidhur këtë çështje.
“Është një vizitë përmbyllëse dhe është një vizitë e cila me aq fuqi sa ka ka dashur të përçojë disa mesazhe që janë kontinuitet të politikës së jashtme të Gjermanisë për gjatë viteve. Mesazhet e saj ishin deri diku të qarta në Beograd. Serbia duhet të bëj një hap duhet ta zgjidh çështjen me Kosovën para se të synojë që ajo të shkojë në Bashkimin Evropian”.
“Mesazhi i saj ishte i qartë që anëtarësim të plotë të Serbisë në Bashkim Evropian nuk do të ketë për aq kohë sa çështja e hapur me Kosovën do të mbetet aktuale dhe Serbia nuk ka gatishmëri për ta përmbyllur këtë çështje. Dhe kjo është diçka shumë domethënëse sepse e definon dhe rikonfirmon qasjen e Bashkimit Evropian që është ankoruar në strategjinë e saj të zgjerimit dhe në raportet për vendet për Kosovën dhe Serbinë, që të zgjidhin çështjet mes tyre para anëtarësimit të plotë në BE”.