Tuesday, October 22, 2024
HomeLajmeKosovaMesazhet që dha Stoltenberg pas takimeve të ndara me Kurtin dhe Osmanin

Mesazhet që dha Stoltenberg pas takimeve të ndara me Kurtin dhe Osmanin

Gjatë takimeve që pati me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se autoritetet kosovare duhet të respektojnë marrëveshjen ndërmjet NATO-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që FSK të mos hyjë në pjesën veriore të Kosovës pa marrëveshje me KFOR-in.

“Kjo është diskutuar dhe e mirëpres që autoritet e Kosovës vazhdojnë të mbështetësin marrëveshjen e vitit 2018, që FSK të mos kalojë në pjesën veriore pa marrëveshjen e KFOR-it. Kjo reflekton sensitivitetin e situatës dhe është mënyra më e mirë për të gjetur një balancë. Ne vazhdojmë të mbështesim zgjidhjen e një marrëveshjeje politike në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd” – tha Stoltenberg.

Kurti: Marrëveshje e dëmshme për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë marrëveshje të rikonfirmuar në vitin 2018 ndërmjet NATO-s dhe presidentit të atëhershëm Hashim Thaҫi, e sheh të dëmshme për Kosovën dhe si të tillë një muaj më parë ai e ka dërguar në prokurori.

Sipas Kurtit kjo përbën shkelje të Kushtetutës. Në një letër-këmbim të vitit 2013, Hashim Thaçi e ka siguruar shefin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fog Rasmussen se FSK-ja “do të ndërmerrte mision në veri të Kosovës vetëm me pajtimin paraprak të KFOR-it”. E Sekretari i tanishëm i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, thotë se kjo marrëveshje është akoma e vlefshme.

Kosovo Besuch des NATO-Generalsekretärs Jens Stoltenberg
Albin Kurti dhe Jens Stoltenberg

 

“Kjo vlen akoma dhe pasqyron gjithashtu ndjeshmëritë dhe sfidat. Mendoj se është mënyra më e mirë për të vazhduar gjetjen e balancës së duhur dhe shmangien e çdo situate që mund t’i minojë dhe dobësojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike dhe të çdo gjëje që mund të minojë dialogun Prishtinë-Beograd”, tha Jens Stoltenberg, duke shtuar se “kur nënshkruani një marrëveshje, ajo vazhdon edhe kur keni persona të rinj në pozita përgjegjëse”, tha Stoltenberg duke komentuar vendimin e kryeministrit Kurti për ta dërguar marrëveshjen në prokurori.

Ndjeshmëri dhe sfida

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po ashtu tha se NATO-ja do të vazhdojë ta mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës, por brenda mandatit të saj fillestar, pra para vendimit të Kuvendit të Kosovës që me anë të ligjit FSK-në e shndërroi në ushtri të Kosovës, por pa ju ndërruar emri.

“Kur është marrë vendimi, unë kam thënë se ka qenë i gabuar. NATO do të vazhdojë të punojë me FSK-në brenda mandatit të saj origjinal. Kjo është ajo që ne e mbështesim”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Përkushtim për anëtarësim në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me  Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, shkroi se “NATO-ja, ka rol vendimtar në lirinë e Kosovës, por edhe për kontributin e tashëm për një ambient të qetë e të sigurt, nëpërmjet trupave të KFOR-it”. Ajo tha se KFOR-i po vazhdon trajnimin e FSK-së, e cila procesin e tranzicionit në ushtri, sipas presidentes, po e kryen konform standardeve të NATO-s, duke qenë e denjë për t`u bërë pjesë e kësaj organizate.

Kosovo Besuch des NATO-Generalsekretärs Jens Stoltenberg
Jens Stoltenberg dhe Vjosa Osmani

“Ne po punojmë me përkushtim që të anëtarësohemi në NATO. Kemi nevojë për mbështetjen e kësaj organizate edhe me anëtarët e NATO-s, të cilët nuk e njohin Kosovën”, tha presidentja Osmani.

Dialogu me Serbinë

Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur për kërkesën e vazhdueshme të Prishtinës zyrtare për anëtarësim të Kosovës në NATO, tha se “anëtarësimi në NATO bazohet në konsensus. Ne kemi nevojë që të gjithë aleatët të bien dakord. Andaj, mënyra e vetme për të arritur anëtarësimin për këdo, është që të gjithë aleatët të bien dakord”. Sipas tij gjëja më e rëndësishme që Kosova mund të bëjë tani, është të vazhdojë të angazhohet për dialogun me Serbinë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments