Sunday, October 20, 2024
HomeBotaMes sulmeve ruse, Blinken viziton Kievin

Mes sulmeve ruse, Blinken viziton Kievin

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë një konference për media në Kiev më 19 janar 2022. UKRAINE – US Secretary of State Anthony Blinken during a press conference. Kyiv, January 19, 2022

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka arritur në Kiev në një vizitë të paplanifikuar.

Kryediplomati amerikan arriti në Kiev, disa orë pasi kryeqyteti ukrainas u shënjestrua nga sulmet ruse me raketa.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka lëshuar asnjë deklaratë lidhur me qëllimin e vizitës së Blinkenit, por kjo vizitë vjen disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkarkoi ministrin e Mbrojtjes dhe disa zyrtarë të tjerë pas shqetësimeve për përfshirje në korrupsion për prokurimin e pajisjeve ushtarake.

Një zyrtar i paidentifikuar amerikan i tha Associated Press dhe CNN se vizita e Blinkenit ka për qëllim vlerësimin e kundërofensivës tremujore ukrainase dhe sinjalizon vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kievin.

Zyrtarët thanë se Blinkeni po ashtu do të njoftojë për një pako të re të ndihmës, në vlerë prej 175 deri në 200 milionë dollarësh. Kjo ndihmë vjen një javë pasi Uashingtoni kishte njoftuar për një pako të ndihmës për Ukrainën.

Ukraina në qershor ka nisur kundërofensivën ndaj forcave ruse në jug dhe lindje të vendit. Pavarësisht se kundërofensiva po zhvillohet më ngadalë seç pritej, SHBA-ja tha javën e kaluar se forcat ukrainase kanë bërë përparim të dukshëm në rajonin lindor të Zaporizhjës.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, SHBA-ja i ka dërguar ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej mbi 43 miliardë dollarësh. Pakoja e fundit e ndihmës nga Uashingtoni u bë publike në fund të gushtit. Në të përfshihen pajisje për pastrimin e zonave nga minat, raketa për sistemet ajrore, municione për artileri, sisteme raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS), dhe mbi 3 milionë fishekë për armë të vogla.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments