Kancelarja gjermane Angela Merkel është takuar sot me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Pas takimit, Merkel ka deklaruar se shpreson për progres në fazën e re të dialogut Kosovë-Serbi.
Në një konferencë për media, ajo është shprehur se Kosova nuk do të zhduket nga agjenda dhe se disa çështje do të zgjidhen në fund të procesit.
“Disa çështje do të zgjidhen në fund të procesit. Jo të gjitha vendet e BE -së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Unë jam për një qasje pragmatike. Kjo çështje nuk do të zhduket, duhet të zgjidhet. Por unë jam për një rrugë ku të gjitha çështjet e tjera zgjidhen së pari. Shpresoj se do të kemi përparim të ri në procesin rreth Kosovës”, u shpreh kancelarja gjermane duke iu referuar njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Ndërkohë, vetë Vuçiq e ka të qartë se nuk ka anëtarësim në BE pa u zgjidhur çështja e Kosovës.
“Nëse pyetja është se a jemi të vetëdijshëm se nuk do të hyjmë në BE pa e zgjidhur çështjen e Kosovës, atëherë absolutisht është e qartë kjo. Ne biseduam për të gjitha çështjet rajonale, për rrugën evropiane të Serbisë, për dialogun me Prishtinën në Bruksel. I thashë kancelares se Serbia është e përkushtuar ndaj dialogut dhe se Serbia beson se një konflikt i ngrirë nuk është një zgjidhje e mirë dhe se ne do të jemi gjithmonë të hapur për një zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiq.
Ndryshe, kancelarja gjermane Angela Merkel nesër do të vizitojë Tiranën, ku përveç kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, do të takojë edhe kryeministrat e rajonit, përfshirë edhe atë të Kosovës Albin Kurtin.