Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka kthyer përgjigje kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku i cili sot gjatë ditës përmes një letre ka propozuar që fushata zgjedhore prej 30 ditësh të zvogëlohet në 10 ditë.
“Kjo tragjedi që po kushton me dhjetëra jetë të humbura të qytetarëve të Republikës së Kosovës për çdo ditë, na ka vënë e duhet të na vejë të gjithëve në lëvizje, duke parë përtej dallimeve politike, me qëllim që secili nga ne të përpiqemi të kontribuojmë në tejkalimin e kësaj situate të rëndë. Aq më tepër, situata na ndërgjegjëson që të përpiqemi të kontribuojmë në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë të kësaj gjendjeje”, ka shkruar lideri i opozitës Memli Krasniqi në letrën e kthyer Abdixhikut.
Krasniqi po ashtu ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës, konsideron se shëndeti i qytetarëve të Kosovës është prioritet themelor, i cili duhet të mbrohet e të sigurohet para çdo agjende tjetër.
“Në vijim të letrës suaj, Partia Demokratike e Kosovës ndanë mendimin se, ndonëse është jashtëzakonisht vitale për demokracinë tonë që të sigurojmë mbarëvajtjen e zgjedhjeve në kohën e përcaktuar, si dhe nën masa që garantojnë transparencë të plotë dhe mundësi për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në procesin e votimit, kjo duhet të bëhet në mënyrë të sigurt dhe duke garantuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Andaj, ne mendojmë se kohëzgjatja e fushatës konvencionale, që nënkupton takimet dhe tubimet që kërkojnë prezencën fizike të kandidatëve dhe qytetarëve, duhet të shkurtohet”, ka shjruar Krasniqi.
Ai ka konfirmuar se mbetet i hapur për të diskutuar, së bashku edhe me akterët e tjerë relevantë, për kohëzgjatjen dhe formatin e fushatës zgjedhore konvencionale, ndërsa ka sugjeruar që fushata dixhitale, debatet mediale dhe të ngjashme, që nuk kërkojnë mbledhjen e shumë personave dhe nuk shkaktojnë rrezikim të shëndetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të lejohen në pajtim me kohëzgjatjen e paraprë me legjislacionin në fuqi.
“Jam i gatshëm që të ofroj kontributin e Partisë Demokratike të Kosovës për të dakorduar formën më të mirë të organizimit të kësaj alternative”, ka thënë Krasniqi.