Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaMehaj: Anëtarësimi në NATO do të arrihet së bashku me partnerët

Mehaj: Anëtarësimi në NATO do të arrihet së bashku me partnerët

17 kadetë të diplomuar në Qendrën për Studime Universitare nga sot fillojnë shërbimin e tyre si oficer në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në ceremoninë e gradimit, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka përmendur synimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO, duke thënë se kjo do të arrihet në bashkëpunim me partnerët.

“Beteja jonë e radhës është anëtarësimi i Kosovës në NATO, e këtë do ta arrijmë së bashku, bashkë me partnerët tanë dhe kështu i realizojmë idealin e dëshmorëve tanë. Armiqtë tanë shpresojnë që vendi ynë të mos ketë të rinj e të reja të bartin mbi supe barrën e atdhetarit, mirëpo përkushtimi juaj do të dëshmojë se e kanë gabim. Pra luftoni për idealet tona më të shenjta dhe lëreni këtë vend më të mirë nga se e keni trashëguar sepse kjo është detyrë e çdo brezi”, ka thënë ai.

Mehaj ka thënë se ndjehen krenarë që po e vazhdojnë rrugën e nisur nga trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Jemi shumë krenarë, ne dhe familjarët tuaj, që po vazhdojmë rrugën e nisur nga shumë trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shumë atdhetarë të tjerë para jush. Pas katër vjet studimesh në QSU ju kuptoni çfarë do të thotë të jesh nën betim, ju e kuptoni përkushtimin dhe obligimin që keni ndaj atdheut e që po të jetë e nevojshme do të jepni edhe jetën tuaj”, ka thënë Mehaj.

Ndërsa kadetët e diplomuar treguan se janë të gatshëm të nisin rrugëtimin si oficerë të rinj të FSK-së.

“Sfidat që na presin do të jenë edhe më të mëdha se ato që i kemi kaluar. Ne sot themi se do të bëjmë më të mirën dhe nuk do të ndalemi së mësuari. Jemi të gatshëm për të marrë përgjegjësitë që na takojnë dhe nuk do të hezitojmë për të bërë atë që na kërkohet për vendin tonë. Të mos harrojmë se borxhin që ua kemi atyre që na sollën lirinë nuk shpaguhet kurrë, andaj ta duam dhe t’i shërbejmë Kosovës sonë deri në frymën e fundit”, ka thënë Korab Seferi në emër të klasës 2022.

Në këtë ceremoni u ndanë mirënjohje dhe certifikata të diplomimit për 17 oficerët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët e kanë përfunduar me sukses shkollimin katërvjeçar në Qendrën për Studime Universitare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments