Gianluigi Donnarumma u zgjodh futbollisti më i mirë i “Euro 2020”, Cristiano Ronaldo golashënuesi i turneut dhe Pedri lojtari më i mirë i ri i Evropianit
Kampionati Evropian e lëshoi perden e tij dhe tash është koha për t’i bërë llogaritë. Pas përfundimit të ndeshjes finale, siç e do zakoni, u zgjodhën më të mirët e turneut, shkruan Gazeta Express. Pa asnjë diskutim, çmimi i lojtarit më të mirë të “Euro 2020” iu dha Gianluigi Donnarummas.

Portieri italian i udhëhoqi “Azzurrët” drejt suksesit të jashtëzakonshëm në këtë garë. Ai ishte protagonist me pritjet e tij në secilën ndeshje. Ndërsa, ishte vendimtar në pritjet e penalltive në ndeshjen gjysmëfinale me Spanjën, e mbi të gjitha me Anglinë. Ndaj “Tre Luanëve” në finale, portieri i Milanit i priti dy 11 metërsha.

Ndërkohë, golashënuesi më i mirë i turneut u shpall Cristiano Ronaldo. Ylli portugez i realizoi 5 gola në 4 ndeshje sa i zhvilloi. 5 gola i kishte edhe Patrik Schick i Republikës Çeke. Por, Ronaldo e fitoi çmimin pasi e pati edhe një asistim dhe luajti më pak.

Ndërkaq, talenti spanjoll Pedri u zgjodh lojtari më i mirë i ri i “Euro 2020”. 18 vjeçari bëri paraqitje mbresëlënëse me “Stuhinë e Kuqe”. Madje, yllin e ri të Barcelonës kanë nisur ta krahasojnë qysh tash me legjendën, Andres Iniesta.