Kryeministri Albin Kurti në një prononcim për media është pyetur edhe për çështjen e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, por s’është përgjigjur.
“S’ke folur asnjëherë”, i tha gazetari pas pyetjes, por Kurti tha se është me nxitim.
“Më falni se duhet me shku direkt në Kuvend”, ishte përgjigjja e Kurtit.
Gjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka nisur të hënën, më 3 prill, pas më shumë se dy vjet e gjysmë prej kur ata janë arrestuar.
Në ditën e parë, ekipi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka shpalosur akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët akuzohen të kenë vepruar si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”. Ndërkaq, në ditën e dytë dhe të tretë, kanë folur avokatët e të katërteve, si dhe të akuzuarit, me përjashtim të Veselit.
Seanca e ardhshme në Hagë mbahet me 11 prill.