Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka treguar se ia ka dhënë mandatin Dritan Abazoviqit për formimin e Qeverisë së re atje, shkruan vijesti.me.
Siç raporton ky medium, të dy politikanët janë takuar sot herët, ku presidenti i Malit të Zi e ka njoftuar liderin e partisë “URA”, se ka përfunduar konsultimet me partitë politike dhe që do t’ia japë mandatin për krijimin e institucioneve të reja pas rrëzimit të Krivokapicit nga pozita e të parit të ekzekutivit në Mal të Zi.
Njoftimin për përfundimin e konsultimeve me partitë politike në Mal të Zi, Gjukanoviq ia ka dërguar edhe Parlamentit.
Derisa ka treguar se disa parti s’kanë shfaqur interesim që të marrin pjesë në konsultime për këtë temë.
Ai tha se përfaqësuesit e URA-së së Abazoviqit dhe partnerët e tyre politikë e kanë bindur pa mëdyshje se kanë shumicën parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së 43-të në Kuvend dhe se për këtë arsye ka marrë vendim që mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë Abazoviqit.
“I bindur se është në interesin më të mirë të Malit të Zi që sa më shpejt të jetë e mundur të krijohet qeveria me kapacitet të plotë, veçanërisht për shkak të sfidave shtesë të sigurisë dhe politike të krijuara nga lufta në Ukrainë dhe reflektimi i saj në stabilitetin e rajonit tonë, pres nga Parlamentin malazez që së shpejti të mbahet seanca dhe të vendoset për programin dhe përbërjen e Qeverisë me propozim të kryeministrit”, ka përfunduar Gjukanoviq.
.