Kosova tash duket se e ka të qartë se çfarë Asociacioni të komunave me shumicë serbe dëshiron. Kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur modelin kroat dhe kjo lëvizje është mbështetur disi nga Mbretëria e Bashkuar. Për idenë e tij, Kurti ka kërkuar që të diskutohet “sa më parë” me Serbinë. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, mund të shkojë në takim me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, me një draft-statut të hartuar për Asociacionin.
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se javën e kaluar u bë një përparim në çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, meqenëse në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq më 2 maj në Bruksel u prezantua një draft i statutit të kësaj bashkësie komunash.
Drafti i prezantuar nga Ekipi Menaxhues i kryesuar nga një deputete e Kuvendit të Serbisë nga partia e Aleksandar Vuçiqit, për kryeministrin Albin Kurti “është rezultat i dëshirës për Republika Srpska në Kosovë”. Si përfundim, këtë ekip e shkarkoi me t’u kthyer në Prishtinë, por drafti i hartuar nga ta është konsideruar nga BE-ja si “pikënisje” për ta shqyrtuar këtë çështje.
Kurti e ka një ide të vetën, inspiruar në modelin kroat. Në takimin e fundit me Vuçiqin, ai ka propozuar një “draft-vizion” për punën e rregullimit të komunitetit serb në Kosovë.
Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, tha martën se ka ardhur koha që Kosova ta propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke treguar se këto ditë në Prishtinë do të vijë i dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach dhe se “aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.
“Pra, tani është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft statut për një Asociacion, duke u mbështetur në vizionin e vendosur nga Kryeministri javën e kaluar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE-ja”, shkroi Abbott në Facebook.
Cila është ideja e Kurtit?
Pasi e konsideroi të papranueshëm draftin e propozuar nga ekipi serb, kryeministri Albin Kurti mbrëmjen e 2 majit dha pak detaje për propozimin e tij, të cilin e quajti “draft-vizion”.
Për propozimin e dorëzuar prej tij, Kurti ka kërkuar që diskutimet të fillojnë “sa më parë”.
“Unë ua thashë në mënyrë të argumentuar, të arsyeshme, të logjikshme se është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë dhe rrjedhimisht është mirë që sa më parë të fillojmë diskutimet mbi bazën e një draft vizioni vleror çfarë kam propozuar unë sot”, tha Kurti më 2 maj.
Kurti tha se draft-vizioni i tij u inspirua “prej një marrëveshje që ka bërë Serbia me Kroacinë”.
“Serbia dhe Kroacia kanë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, ku parashihen edhe të drejta, dispozita mbrojtëse për pakicën kombëtare serbe në Kroaci. Dhe unë jam inspiruar prej atij modeli, meqenëse siç dihet nga shpërbërja e dhunshme e ish-Jugosllavisë, Kroacia doli si shtet i pavarur edhe ne si Republikë e Kosovës jemi pjesë e të njëjtit proces të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Duke pas parasysh, që Kroacia edhe është anëtare në Bashkimin Europian, edhe është anëtare në NATO, edhe i ka normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, e ne si Republikë e Kosovës aspirojmë edhe në NATO, edhe në Bashkimin Europian, besoj që ka qenë një model i duhur prej nga unë kam marrë frymëzim që të shkruaj këtë draft vizion me 11 pika apo në 10 plus 1 që të jem më i saktë”, ka thënë kryeministri.
Në draft-vizionin e tij, Kurti s’e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por thirret në Nenin 7 të Marrëveshjes së fundit me Serbisë, që parasheh krijimin e një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb.
Një draft-statut, sipas propozimit të Kurtit, duhet t’i plotësojë disa kushte – mes tjerash, “t’ua ofrojë pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë mundësinë për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi”.
Në krye të vizionit të Kurtit përmendet se statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me letrën e ish-përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini dërguar ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe me qëndrimin e SHBA-së, që ka shprehur disa garanci se çka s’duhet të jetë Asociacioni.
Pastaj, sipas Kurtit, duhet të parashihet mundësia për bashkëpunim me institucionet e Kosovës, si dhe të “njihen plotësisht karakteristikat kushtetuese” të Kosovës, duke respektuar pavarësinë dhe integritetin e saj territorial.
Propozimi i Kurtit “parasheh një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Republikës së Kosovës, mes të tjerash, përmes pjesëmarrjes në Këshillin Konsultativ për Komunitete”. Serbia mund ta financojë Asociacionin, sipas vizionit të Kurtit, por duke respektuar disa rregulla.
“Do të ofrojë mundësi për t’u financuar nga buxheti i Kosovës, organizatat ndërkombëtare, institucionet dhe donacionet e vendeve të treta, duke përfshirë nga Serbia, të cilat duhet të dërgohen të gjitha përmes procedurave dhe rregullave të Ministrisë së Financave të Kosovës”, thuhet në pikën pestë të propozimit.
Në propozim po ashtu theksohet se do të mund të themelohen asociacione në fushën e kulturës, artit, shkencës dhe arsimit, si dhe asociacione të natyrave të ndryshme për “shprehjen, ushqyerjen dhe zhvillimin e identitetit serb”, bazuar në ligjet aktuale për ushtrimin e shërbimeve jofitimprurëse.
Kosova shkon me draft-statutin e vet në takimin e radhës me Serbinë?
Kryeministri Albin Kurti kishte kërkuar që ta shkruante vet një draft-statut për Asociacionin, por ndërmjetësuesit s’e kishin lënë përpara se të propozohej draft-statuti i Ekipit Menaxhues.
Tani, ndoshta mund ta shkruajë. Nëse Kosova do të paraqitet në takimin e radhës me Serbinë me draft-statutin e hartuar për Asociacionin, nuk dihet. Për këtë nuk janë përgjigjur nga kabineti i kryeministrit Albin Kurti dhe as nga stafi i kryenegociatorit Besnik Bislimi.
Një takim i nivelit teknik, ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq është paralajmëruar të zhvillohet shumë shpejt.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka përmendur “18, 20 apo 21 majin” si datat e mundshme.
Nga Bashkimi Europian nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express në lidhje me vizionin e paraqitur nga kryeministri Albin Kurti.