Shfaqja ‘Mbretëresha pa kurorë” e regjisores Marigona Bekteshi Ferati, do të përfaqësojë Kosovën në edicionin e tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit që mbahet në Bursa të Turqisë.
”Bursa International Theater Festival” është një ndër festivalet më të mëdha në Evropë, ku çdo vit zgjedhen 5 deri në 10 shfaqje teatrale, të cilat përfaqësojnë shtetet e tyre.
Tashmë, zyrtarisht është bërë e ditur që këtë vit Kosovën do ta përfaqësoj regjisorja Bekteshi Ferati, me shfaqjen ”Mbretëresha pa kurorë”, shfaqje kjo e cila është dhënë premierë në muajin nëntor, të vitit të kaluar.
Regjisorja është shprehur mjaft e lumtur që do të përfaqësojë Kosovën në një festival prestigjioz dhe se ndihet e nderuar që është zgjedhur pikërisht kjo shfaqje teatrale që i kushtohet të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosoovë.
”Kam punuar me shumë përkushtim, veçanërisht që një shfaqje e tillë jo vetëm që bëhet në Kosovë, por për herë të parë edhe në botë, ku rrëfimet e të mbijeturave të dhunës seksuale gjatë luftës, paraqiten në teatër para publikut. Ishte një proces sfidues, sepse rrëfimet e të mbijetuarave janë dhënë ekskluzivisht për realizimin e shfaqjes dhe kam ndjerë një përgjegjësi të madhe, por, ia dolëm dhe tani do t’ia tregojmë edhe botës të vërtetën sepse arti është e vetmja formë përmes së cilës deportohet aty kur nuk deporton as politika e as gjykata”, ka theksuar regjisorja.