Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeMblidhet Qeveria, sot bëhet publik koeficienti i pagave që ende mbetet mister

Mblidhet Qeveria, sot bëhet publik koeficienti i pagave që ende mbetet mister

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thirrur kabinetin e tij qeveritar për një mbledhje sot, me fillim nga ora 10:00.

Ftesën për mbledhje, ministrat e kanë marrë në orët e vona të së martës, pas një mbledhje tjetër që u mbajt mbrëmë në mënyrë elektronike.

Ende nuk dihet rendi i ditës, megjithatë pritet që në këtë mbledhje të bëhet i ditur koeficienti i pagave, që deri më sot ka mbetur “mister”.

Ligji për Pagat, i cili është dekretuar në fillim të muajit janar nga Presidentja Vjosa Osmani, pritet të hyjë në fuqi po sot më 1 shkurt.

Në mbledhjen e mbrëmshme të Qeverisë, e 112-ta me radhë, Kurti me ministrat e tij miratoi dy vendime. I pari ka të bëjë me vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2023, ku me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, në këtë program është përfshirë edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L- 193 mbi Ndarjet Buxhetore për këtë vit.

Sa do të paguhen mësimdhënësit në bazë të kësaj shifre?

Ligji për Paga i publikuar para pak javësh në Gazetën Zyrtare tregon koeficientin, por jo se sa do të jetë vlera e tij.

Sipas asaj që shihet aty, mësimdhënësi i shkollës së mesme ka koeficientin 5.8, ndërsa ai i shkollës fillore, 5.6.

Duke e llogaritur me vlerën e mësuar që pritet të jetë 103 euro, mësimdhënësi i shkollës së mesme do të marrë rreth 598 euro pagë, ndërkaq, ai i shkollës fillore, do të paguhet rreth 577 euro.

Vlera e koeficientit do të bëhet e ditur gjatë ditës së nesërme, mëson Paparaci.

Sa paguhen krerët e shtetit?

Sipas koeficienteve të përcaktuar për pozitat e zyrtarëve publikë, presidentja Vjosa Osmani do ta ketë koeficientin më të lartë të pagës – 18, shkruan Paparaci.

Kjo, pasohet nga kryetari i Kuvendit, që është Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti. Pagat e tyre, do të kenë koeficientin 17.

Nëse vlera e koeficientit është 103 në bazë të një përllogaritje të thjeshtë, del se presidentja Osmani do të paguhet rreth 1 mijë e 857 euro.

Kryeministri Kurti e kryeparlamentari Glauk Konjufca ndërkohë, në bazë të kësaj vlere, do të paguhen 1 mijë e 821 euro.

Me Ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve sillet nga 2 deri në 18 – më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit. Më i ulëti, ndërkaq, u takon pozitave si: rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.

Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 deri në 170 euro. Kjo vlerë, e pandryshuar qysh në vitin 2011, është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments