Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaMbi 8 vite burgim dhe mbi 27 mijë euro gjobë ndaj 8...

Mbi 8 vite burgim dhe mbi 27 mijë euro gjobë ndaj 8 të akuzuarve për kontrabandim me migrantë

Gjykata Themelore Prishtinë pas aprovimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë midis Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe të akuzuarve Lutfi Hoxhaj, Riza Hakaj, Femi Hakaj, Selim Kryeziu, Fazli Gashi, Adem Podrimqaku, Eljver Aliji dhe Agron Meçi, i ka dënuar tetë të akuzuarit (së bashku) me mbi 8 vjet burgim dhe 27 mijë e 800 euro gjobë për veprën penale “Kontrabandim me migrantë”.

Në aktgjykimin e marrë më 8 dhjetor 2023, sipas marrëveshjes së arritur me PSRK-në, për të akuzuarit Lutfi Hoxhaj, Riza Hakaj, Femi Hakaj, Selim Kryeziu dhe Fazli Gashi, është bërë rikualifikimi i veprës penale nga “Krimi i organizuar” në “Kontrabandim me migrantë” në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, për të akuzuarit Adem Podrimqaku, Eljver Aliji dhe Agron Meçi, vepra penale ka mbetur si në aktakuzë “Kontrabandim me migrantë” në bashkëkryerje.

Ndërkaq për të akuzuarin Vladan Radomiroviq, pasi që gjykata nuk kishte arritur të sigurojë të njëjtin në procedurë, e kishte veçuar rastin ndaj tij, kurse për të akuzuarin tjetër Florin Dragjoshi, PSRK ka hequr dorë nga akuza pasi që i njëjti ishte dënuar në Kroaci.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Lutfi Hoxhaj u dënua me 13 muaj e 18 ditë burgim dhe 10 mijë euro gjobë. I akuzuari Riza Hakaj u dënua me 13 muaj e 18 ditë burgim dhe 6 mijë euro gjobë.

Ndaj të akuzuarit Femi Hakaj është shqiptuar dënim prej 11 muaj e 18 ditë burgim dhe 6 mijë euro gjobë, për Selim Kryeziun 13 muaj e 18 ditë burgim dhe 300 euro gjobë, për Fazli Gashin 12 muaj e 28 ditë burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.

Tutje, ndaj Adem Podrimqakut gjykata shpalli dënim me 12 muaj burgim dhe me 500 euro gjobë, ndaj Eljver Alijit 11 muaj e 16 ditë burgim dhe 500 euro gjobë, dhe ndaj Agron Meçit 10 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktgjykimit, dënimet e lartpërmendura ekzekutohen brenda afatit prej 15 ditësh por jo më gjatë se tre muaj pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Në aktgjykim thuhet se dënimin me gjobë, të akuzuarit mund ta paguajnë deri në gjashtë këste. Kurse, në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarve do t’iu llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak.

Në aktgjykim thuhet se të akuzuarit Podrimqaku i hiqet masa e dorëzanisë (vënia në hipotekë e pesë njësive kadastrale). Të akuzuarit Femi Hakaj i hiqet dorëzania në shumë prej 20 mijë euro dhe të akuzuarit Eljver Aliji i hiqet dorëzania në shumë prej 6 mijë euro.

Gjithnjë sipas aktgjykimit, të akuzuarit Hoxhaj i konfiskohet vetura BMW, 6 mijë e 600 euro të sekuestruara, dy telefona dhe katër sim kartela. Kurse, të akuzuarit Riza Hakaj i konfiskohet vetura Audi A4, dy telefona e tri sim kartela.

Po ashtu, të akuzuarit Selim Kryeziu i konfiskohen automjeti BMW, një telefon dhe një sim kartelë. Ndërsa, Fazli Gashit 1 mijë e 330 dinarë të Serbisë. Paqaradës, i konfiskohet vetura VW Golf, një telefon dhe një sim kartelë.

Më tej, thuhet se të akuzuarit Eljver Aliji i konfiskohet vetura Mercedes Benz, kurse të akuzuarit Femi Hakaj një telefon dhe një sim kartelë.

Sipas aktgjykimit, mjetet financiare kalojnë në buxhetin e Kosovës, kurse automjetet dhe telefonat me sim kartela, kalojnë në shfrytëzim nga Qeveria e Kosovës ose shiten dhe paratë i kalojnë buxhetit të shtetit.

Të akuzuarit u obliguan t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale, ndërsa në emër të paushallit gjyqësor secili nga 100 euro dhe për fondin për kompensimin e viktimave të krimit secili nga 50 euro.

Të dëmtuarit, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, nuk u udhëzuan në konstest civil, me arsyetimin se gjatë shqyrtimit gjyqësor kanë hequr dorë nga kjo e drejtë.

Në arsyetimin e vendimit, thuhet se Themelorja shqiptoi dënimet e lartpërmendura me bindje se i përgjigjen shkallës së rrezikshmërisë shoqërore të veprës për të cilën të akuzuarit janë shpallur fajtorë, si dhe shkallës së përgjegjësisë penale të të akuzuarve.

“Dhe se me dënimin e shqiptuar atyre, do të arrihet qëllimi i dënimit i paraparë me nenin 41 të KPRK, përkatësisht të parandaloi kryesit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, të bëjë rehabilitimin e tyre, të parandaloi persona të tjerë nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga veprat penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, për ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit”, thuhet në vendim.

Për mundësinë e pagesës së dënimeve me gjobë me këste, thuhet se është vendosur konform dispozitës së nenit 46, par. 2 të KPRK-së.

Kurse, vendimi që të akuzuarve t’iu konfiskohen sendet si në dispozitiv të këtij aktgjykimi thuhet se është vendosur konform dispozitës së nenit 69, par.1 të KPRK-së dhe është bazuar në provat në shkresat e lëndës dhe nga pranimi i fajësisë nga të akuzuarit, ngase ato sende janë përdorur dhe përfituar me kryerjen e veprës penale të përshkruar si në dispozitivin e këtij aktgjykimi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 18 prill 2017 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Lutfi Hoxhaj, Riza Hakaj, Femi Hakaj, Selim Kryeziu, Fazli Gashi, Adem Podrimqaku, Vladan Radomiroviq, Eljver Aliji, Florin Dragjoshi dhe Agron Meçi.

Në aktakuzë thuhet se Lutfi Hoxhaj, Riza Hakaj, Femi Hakaj, Selim Kryeziu dhe Fazli Gashi, kanë kryer veprat penale të krimit të organizuar lidhur me veprat penale të kontrabandimit me migrantë. Ndërsa, Adem Podrimqaku, Vladan Radomiroviq, Eljver Aliji, Florin Dragjoshi dhe Agron Meçi, thuhet se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje të kontrabandimit me migrantë.

Sipas pretendimit të aktakuzës, të pandehurit që nga fillimi i vitit 2016 deri më 27 tetor 2016, me dashje kanë organizuar kontrabandimin me migrantë të shtetasve kosovarë (kryesisht viktima të mitur nën moshën 18 vjeçare) dhe shtetasve të tjerë, në mënyrë ilegale në shtetet e Bashkimit Evropian, e ku numri më i madh i të kontrabanduarve të mitur kanë përfunduar në qytetin Udine të Italisë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments