Ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë pritet të kushtojë mbi 150 milionë euro. Pas vendimit qeveritar për formimin e komisionit për vlerësimin e fizibilitetit për këtë rrugë, ministri i Mjedisit Liburn Aliu tha se deri më tani janë tri variante, por ai më i përshtatshmi është ndërtimi i tunelit 6.4 km mbi fshatin Manastricë të Prizrenit.
Ai në një konferencë për medie, pas mbledhjes së qeverisë, tregoi edhe variantet tjera, për të cilat tha se do të shqyrtohen.
“Deri tani janë tre variante, bëhet fjalë për variantet në të cilat tunelet janë të ndryshme. Lartësia mbidetare dhe kushtet në teren përcaktojnë këto variante, ku varianti më i përshtatshëm është ai i cili ka de fakto tunelin më të gjatë, 6.4 kilometra dhe është mbi fshatin Manstricië nga ana e Kosovës dhe kalon në anën tjetër afër fshatit Bozofc në Maqedoninë e Veriut dhe pastaj mund të lidhemi në Tetovë. Ndërsa deri në fshatin Manastricë janë të shqyrtuar variantet që nga ky fshat qojnë në Reqan dhe Prizren, po ashtu varianti tjetër nga Manastricia në Zaplluq dhe deri në daljen jugore të autostradës, Prizren-Prishtinë. Sidoqoftë në variantet nga Kosova, nëse aprovohet varianti i Zapllugjës, i cili është më i mundshëm, patjetër edhe varianti i Manistriciës do të jetë opsion, pasi lidhet Prevalla si zonë me potencial turistik me këtë rrugë. Për t’u realizuar kjo janë shqyrtuar dokumentet nga dy anët… Projekti do të kalojë vlerën mbi 150 milionë euro, por mund të shkojë edhe më lart. Po flasim për tunelin bashkë me lidhjen rrugore për Prizren”, tha ai.
Ndërtimi i rrugës, Prizren-Tetovë ka qenë premtim i kahershëm i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.