Bashkimi Evropian ka marrë vendim që të vendos misionin vëzhgues të zgjedhjeve në Kosovë. Tashmë në Prishtinë kanë ardhur ekipi kryesorë i përbërë nga 10 ekspertë zgjedhorë, ndërsa në mes të shtatorit misionit do t’i bashkohen edhe 22 vëzhgues afatgjatë.
Prania e vëzhguesve ndërkombëtar erdhi pas ftesës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
“Në përgjigje të ftesës së Presidentes së Kosovës, Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur të vendosë një Mision të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE -së (MVZ) për të vëzhguar zgjedhjet lokale të planifikuara për 17 tetor 2021.Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe Nënkryetar i Komisionit Evropian, ka emëruar z. Lukas Mandl, anëtar i Parlamentit Evropian shef të Misionit të Vëzhguesve të BE-së 2021 në Kosovë. Misioni filloi të vendoset në Kosovë në fillim të shtatorit”, thuhet në komunikatën për media të zyrës së BE-së në Kosovë.
Përfaqësuesi i Lartë/Nënkryetari Josep Borrell citohet të ketë thënë se, “Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar dhe i angazhuar për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe në forcimin e qeverisjes së saj demokratike. Për herë të tretë tashmë, ne do të vëzhgojmë zgjedhjet komunale në Kosovë përmes Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Unë besoj se prania e Misionit do të kontribuojë në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, si dhe do të ndihmojë përpjekjet e ardhshme lidhur me reformën zgjedhore. Ne mezi presim të vazhdojmë punën me autoritetet e Kosovës për të forcuar procesin zgjedhor, në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet e misioneve tona paraprake. ”
Shefi i Misionit Vëzhgues, Lukas Mandl është shprehur se është i kënaqur që i është besuar përgjegjësia për udhëheqjen e këtij misioni të BE-së, për çka ka shtuar se beson se misioni do t[i sjellë vlerë të shtuar procesit zgjedhor.
“Ekipi kryesor i MVZ të BE -së i përbërë nga 10 ekspertë zgjedhorë, mbërriti në Prishtinë më 5 shtator. Në mes të shtatorit, 22 vëzhgues afatgjatë do t’i bashkohen misionit dhe do të vendosen në të gjithë vendin. Misioni do të përforcohet me vëzhgues afatshkurtër gjatë ditës së zgjedhjeve. MVZ -ja e BE -së do të qëndrojë në vend deri në përfundimin e procesit zgjedhor, përfshirë edhe raundin e dytë të mundshëm të zgjedhjeve për kryetar komune më 14 nëntor”, thuhet në komunikatë.
Tutje në komunikatë është nënvizuar se “Në përputhje me metodologjinë e vëzhgimit të zgjedhjeve të BE -së, misioni do të lëshojë një deklaratë paraprake dhe do të mbajë një konferencë për shtyp në Prishtinë menjëherë pas zgjedhjeve. Raporti përfundimtar, i cili do të përfshijë një sërë rekomandimesh për proceset e ardhshme zgjedhore, do të prezantohet dhe do të ndahet me palët e interesit pas përfundimit të të gjithë procesit zgjedhor”