Komuna e Mitrovicës, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, organizon sot një “takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale”, të cilin e paralajmëroi të mërkurën kryeministri Albin Kurti.
“Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”, kjo do të jetë tema e takimit që pritet të nisë në 11:00 në Kuvendin Komunal, siç ka shkruar Kurti.
Kurti i ka ftuar serbët që të marrin pjesë në këtë diskutim në të cilin tha se ata “do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.
KFOR-i e ka shtuar praninë në dhe përreth urës së Ibrit në Mitrovicë, pas paralajmërimeve nga Qeveria e Kosovës se ajo do të hapet.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë paralajmëroi të martën se nuk do të hezitojë të përballet me çfarëdo zhvillimi që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal.
“Ne nuk do të hezitojmë të përballemi me asnjë zhvillim që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, duke respektuar plotësisht mandatin tonë që buron nga OKB-ja. Qëndrimi i KFOR-it ka qenë i qartë dhe konstant gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të bëhet përbrenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha KFOR-i në një komunikatë për media.
Kurti, ndërkaq, insiston se ura do të hapet.
“Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, shkroi ai dje.
Paraditen e së martës, KFOR-it tha se komandanti Ozkan Ulutash ishte njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha se një inspektim teknik në urën kryesore mbi lumin Ibër do të ndodhë së shpejti.