Lëvizja Vetëvendosje ndau një tabelë që paraqiste Kosovën me nivelin më të ulët të papunësisë. Të dhënat ishin nxjerrë nga Barometri Ballkanik për vitin 2024. Megjithatë, partia në pushtet “harruan” t’i përmendnin edhe të dhënat e tjera të dala nga këto anketa.
“Barometri Ballkanik 2024: Kosova me nivelin më të ulët të papunësisë. Mesatarja rajonale e papunësisë është 11%. Niveli më i ulët i papunësisë rezulton në Kosovë 4%, në Serbi me 7%, Malin e Zi 9%, Maqedoninë e Veriut 13% dhe Bosnjë, 11%.. Në 1000 persona të pyetur Kosova kishte nivelin më të lartë të të punësuarve me pagë me 65% të të pyeturve, Serbia me 54%, Bosnja me 52, Maqedonia e Veriut me 48% dhe Mali i Zi me 52%”, thuhet në postimin e VV’së.
Megjithatë, të dhënat e nxjerra nga Barometri Ballkanik shpërfaqin edhe anën e errët të përspektivës së pjesëmarrësve në anketë për mundësitë në punë.
Nga 101 respodentë sa kanë marrë pjesë në anketë, 15 nga ta thonë se janë “totalisht të pakënaqur” dhe 30 prej tyre thonë se janë “kryesisht të pakënaqur” me mundësitë e punës. Ndërkaq, 35 pjesëmarrës nga Kosova kanë mbajtur qëndrim neutral për këtë.
Vetëm një është shprehur “totalisht i kënaqur” me mundësitë e punës në Kosovë.
Po ashtu, në anketën e Barometrit Ballkanik, në pyetjen se “a do të donit të jetonit apo të punonit jashtë për një periudhë përgjatë pesë viteve dhe ku do të preferonit?”, numri më i madh i anketuesve nga shtetet e Ballkanit Perëndimor që dëshirojnë të jetojnë në Evropë vjen nga Kosova.
Gjegjësisht, 61 respodentë janë shprehur ‘pro’ që në pesë vitet e ardhshme të jetojnë dhe punojnë në Evropë. /Insajderi.org/