Klubi bardhezi njoftoi se në shënjestër të Prokurorisë së Torinos tashmë është edhe operacioni i merkatos së verës, ku ylli portugez u rikthye në Old Trafford. Hetuesit kanë nxjerrë një tjetër dekret për kontrollin e ligjshmërisë së transferimit.
“Kemi marrë një njoftim që përveç dokumentacionit të sekuestruar për hetimin e nisur më 27 nëntor, Juventusit duhet të dorëzojë edhe dokumentat e shitjeve të lojtarëve të bilancit deri më 30 qershor 2021, duke përfshirë këtu edhe operacionin e largimit të futbollistit Dos Santos Aveiro Cristiano Ronaldo”, njoftoi klubi bardhezi.
Rreth hetimit do të merren në pyetje presidenti Andrea Agnelli, zëvendësi i tij Pavel Nedved dhe drejtori sportive Fabio Paratici. Në tentativën për të hedhur dritë rreth çështjes “CR7”, prokurorët provuan të merrnin në pyetje edhe futbollistin.
Por, me gjasë, për të dëshmuar do të paraqitet menaxheri i tij, Jorge Mendes. Seancat dëgjimore pritet të përfundojnë përpara Krishtlindjeve dhe përveç Cristiano Ronaldos aty do të jepen dëshmi për transferimet e dyshimta të 42 futbollistëve nga klubi që ka fituar më tepër trofe në Itali.