Sektori i gastronomisë në Maqedoninë e Veriut kërkon nga qeveria ndihmë financiare për përballje me pasojat, pas vendimit të ekzekutivit për të mbyllur objektet e gastronomisë si pjesë e masave kufizuese për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Sipas vlerësimeve të Shoqatës së gastronomisë, rreth 30 mijë persona që punojnë në këtë sektor do të mbeten pa të ardhurat mujore.
“Ne kuptojmë nevojën për të miratuar masa të reja kufizuese që duhet të çojnë në përmirësimin e kushteve shëndetësore. Por, në të njëjtën kohë, ne apelojmë që është e nevojshme që paralelisht me këto masa të jepet edhe ndihmë e veçantë financiare për subjektet, të cilat, për shkak të vendimit të mbylljes do të mbeten pa asnjë të ardhur. Mbështetja financiare është e nevojshme për të siguruar një ekzistencë themelore dhe për të mos humbur vendet e punës”, thuhet në reagimin e Odës së Turizmit dhe Ushqimit.
Mihail Misev, kryetar i Shoqatës së Gastronomëve në Ohër, thotë se bizneset do të respektojnë masat pasi nuk kanë opsion tjetër, por ndërkohë kërkon ndihmë nga shteti pasi në të kundërtën, ai thotë se gastronomët do të detyrohen të vazhdojnë me pushime nga puna të punëtorëve apo edhe mbylljen e lokaleve.
“Sektori jonë është më i godituri nga këto masa të qeverisë. Çfarëdo mase që është miratuar deri më tani, ne kemi qenë ata që kemi pësuar më së shumti. Kërkojmë zgjidhjen e problemeve, kërkojmë ndihmë që të mbijetojmë pasi nuk ka mbetur zgjidhje tjetër pos të mbyllim bizneset”, thotë Misev, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Erhan Papraniku, pronar i një restoranti në Strugë, thotë se po përballet me vështirësi të madhe në punën e tij, pasi ende nuk ka marrë ndihmat e premtuara nga qeveria për muajt shkurt dhe mars.
“Ne jemi të vetëdijshëm me gjendjen dhe e prisnim këtë gjë, por ne jemi ata që të do pësojmë më së shumti, do të humbim mjete dhe punëtorë. Ne ende nuk kemi marr ndihmat për muajt shkurt dhe mars. Humbjet do të jenë të mëdha pasi vështirë se këtë sezon do të kemi turistë. Sigurisht se duke marr një hap të tillë, ata duhet të mendojnë se ka nevojë për një ndihmë pak më të madhe për hotelet dhe restorantet”, thotë Papraniku.
Nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka thënë se masat do të godasin bizneset, por se miratimi i tyre ishte i domosdoshëm për shkak të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike, por edhe për shkak të festave fetare pasi të dhënat e kësaj ministrie flasin se pikërisht gjatë këtyre festave, vitin e kaluar kishte më shumë të infektuar me koronavirusin e ri.
“Jemi të vetëdijshëm se masat që i miratuam janë më restriktive dhe ne me vetëdije të plotë i miratuam ato, që festat t’i kalojmë të gjithë së bashku në qetësi, që të mos përballemi me situatë kur të afërmit tanë dhe tuaj të jenë të sëmurë ose larg qoftë të humbin jetën nga virusi. Prandaj, duhet të jeni të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën ndodhemi”, ka deklaruar zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani.