Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaMarrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi këtë vit? Ambasadori norvegjez: Po

Marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi këtë vit? Ambasadori norvegjez: Po

Ambasadori norvegjez, Jens Erik Grøndahl, mendon se situata në Kosovë dhe rajon është e qetë, pavarësisht shqetësimeve në rritje, pas agresionit rus në Ukrainë. Së fundmi, zyrtarët policorë kanë qenë cak i disa sulmeve, të cilat ambasadori i dënoi ashpër, duke thënë  se incidentet e tilla janë të papranueshme.

Ambasadori Grøndahl, në intervistë për KosovaPress flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe bashkëpunimin mes vendit tonë dhe Norvegjisë.

Duke u ndalur fillimisht te situata e sigurisë, ambasadori norvegjez u shpreh se përveç shqetësimeve që lidhen me sulmin ndaj policëve në Zubin Potok, në përgjithësi situata në vend ka qenë e sigurt.

“Mendoj se deri më tani, nuk kam parë ndonjë shqetësim të menjëhershëm si një efekt i drejtpërdrejtë i konfliktit në Ukrainë. Dhe mendoj se është shumë e rëndësishme të jemi vigjilentë dhe të kujdesshëm, siç e dini, ne shumë mbështetemi në informacionet që marrim nga organizatat e sigurisë në Kosovë, si FSK-ja dhe KFOR-i, EULEX-i dhe OSBE-ja, e kështu me radhë. Pra, ne ndjekim këshillat dhe informacionet që marrim nga autoritetet në Kosovë dhe nga institucionet. Natyrisht, jemi thellë të shqetësuar për të shtënat që ndodhën së fundmi në Zubin Potok. Ne e kemi dënuar këtë, e kemi mbështetur qeverinë e Kosovës, jemi shqetësuar për këto incidente dhe mendojmë se janë një kërcënim real për stabilitetin. Me sa di unë, nuk ka qenë e mundur për të gjetur saktësisht se kush janë autorët. Pra, mendoj se duhet të presim që të përfundojnë hetimet, por çdo incident i tillë është absolutisht i papranueshëm dhe kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë. Pra, po, sa i përket atij incident specifik, mendoj se kemi shqetësime të thella, por në nivel të përgjithshëm, mendoj se rajoni brenda dhe rreth Kosovës ka qenë mjaft i qëndrueshëm edhe pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë”, dekalroi Grøndahl.

Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk është radhitur në një linjë me Perëndimin për të sanksionuar Rusinë pas zhvillimeve në Ukrainë, madje u akuzua se u shndërrua në portë hyrëse për Evropë për rusët.

Në lidhje me këtë, ambasadori Grøndahl thotë se janë duke ndjekur me vëmendje se çfarë po bën Serbia.

“Ne jemi të kënaqur që Serbia votoi së bashku me ne dhe pjesën më të madhe të botës për dënimin e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dhe gjithashtu për dëbimin e Rusisë nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut në OKB, ne jemi të lumtur që ata e kanë ndjekur të njëjtën linjë si çdo vend i BE-së dhe NATO-s, dhe kontinentit evropian, gjithashtu edhe Kosova. Por në lidhje me sanksionet, ne padyshim që po vëzhgojmë me kujdes se çfarë po bën çdo vend në këtë drejtim. Por deri më tani, ne po vëzhgojmë, çfarë po bëjnë ata dhe padyshim do të jetë interesante të shohim se çfarë hapi tjetër mund të ndërmarrin kur zhvillimet do të ecin më tej”, vijoi Grøndahl.

Diplomati norvegjez foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Së fundmi, palët nuk ranë dakord për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave, ndërsa një takim i radhës është paralajmëruar më 13 maj.

Ambasadori thotë se, pavarësisht se marrëveshja e përkohshme me ngjitëset po funksionon, duhet një zgjidhje përfundimtare.

“Unë shpresoj shumë dhe ne kemi nevojë për një zgjidhje për këtë situatë. Besoj se praktikisht, regjimi i tiketave ngjitëse po funksionon shumë mirë, por ne absolutisht mbështesim një marrëveshje përfundimtare për targat, por edhe për të gjitha çështjet e tjera që mbeten të zbatohen nga marrëveshjet e Brukselit. Ne do të donim të shihnim liri të lëvizjes, liri të udhëtimit, që dokumentacionet të pranohen nga të gjithë, targat e makinave gjithashtu, për sa kohë që ata përmbushin kriteret e praktikave më të mira evropiane për targat e makinave. Pra, shpresoj që së shpejti të ketë një zgjidhje për këtë problem, në mënyrë që sa më shpejt të kemi një qarkullim të lirë të mallrave, njerëzve dhe udhëtimeve. Kjo është në fakt shpresa jonë”, deklaroi Grøndahl.

Ambasadori norvegjez tha se i respekton qëndrimet e Kosovës në tryezën e bisedimeve dhe shton se është mirë të jesh i kujdesshëm. Ai përsëriti se vendi i tij mbështet dialogun Kosovë-Serbi qe do të prodhonte një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke.

Grøndahl shtoi se i kupton vështirësitë dhe se ende ka shumë çështje për t’u diskutuar mes të dy vendeve, mirëpo të dy palët duhet të bëjnë përpjekje për të gjetur zgjidhje për çështjet e hapura.

“Ne i respektojmë qëndrimet e Kosovës dhe e kuptojmë se kjo nuk është një marrëveshje e lehtë për t’u bërë. Ka shumë konsiderata të përfshira. Mendoj se është shumë mirë të jesh i kujdesshëm dhe të shqyrtosh mirë zbatimin. Nuk mendoj se përshpejtimi do të jetë i dobishëm, sepse mund të ketë probleme, bëhen anashkalime, kështu që është e rëndësishme të punoni me shumë kujdes dhe seriozitet për këtë. Natyrisht, ne mbështesim qeverinë e Kosovës për procesin dialogut, për një proces pozitiv të dialogut për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë dhe BE-në. Kjo është ajo që ne u themi edhe autoriteteve në Beograd, gjithashtu që edhe ata të bëjnë përpjekje për të arritur dhe gjetur një gjuhë të përbashkët me Kosovën në këto çështje. Pra, e kuptoj që kërkon kohë, por absolutisht kam shpresë, dhe jam optimist që në një moment, shpresoj jo shumë larg, do të ketë një marrëveshje, por nuk mendoj se do të jetë një rrugë e lehtë, mendoj se do të jetë me vështirësi. Mendoj se ka shumë çështje për t’u diskutuar, dhe ka shumë faktorë ndërlikues që kanë pasoja për të dyja vendet, dhe e kuptoj që të dyja palët do të donin të shihnin se çfarë pasojash mund të ndodhin nga arritja e marrëveshjes. Por po, ne mbështesim procesin, mbështesim dialogun e udhëhequr nga Lajçak në Bruksel dhe absolutisht shpresojmë se palët do të arrijnë një marrëveshje. Pra, kjo është absolutisht mbështetja jonë”, tha ai.

I pyetur nëse është optimist se një marrëveshje përfundimtare mund të arrihet brenda këtij viti, ambasadori u përgjigj me “po”.

“Shpresoj që po, do të doja të thosha po për këtë (arritjen e një marrëveshjeje finale Kosovë-Serbi brenda këtij viti), absolutisht. Unë do të doja të them po për këtë. Kemi edhe nja nëntë- dhjetë muaj që kanë mbetur nga ky vit. Pra, kam shumë shpresë. Po”, tha ai.

Norvegjia në vazhdimësi ka mbështetur Kosovën përmes projekteve të ndryshme, sidomos në sistemin e drejtësisë si dhe me këshilltarë për dialogun dhe integrime evropiane.

Ambasadori Grøndahl thotë se tashmë duan të fokusohen më shumë edhe në turizëm për të sjellë më shumë norvegjezë në Kosovë.

“Ne kemi një bashkëpunim të kufizuar tregtar me Kosovën, kemi pasur një bashkëpunim në fushën e prodhimit industrial, por kemi disa para me të cilat i mbështesim reformat në Kosovë, pra më së shumti atë që kemi vlerësuar, në vendosjen e sektorit të drejtësisë në Kosovë. Ne kemi bërë investime të konsiderueshme në sistemin elektronik të menaxhimit të lëndëve për gjykatat, Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, që ka pasur një sukses absolutisht të madh. Ne gjithashtu kemi investuar në rritjen ekonomike në Kosovë përmes iniciativave të startup-eve, e kështu me radhë, ne gjithashtu mbështesim dialogun dhe institucionet, siç e dini, unë gjithashtu po punoj shumë konkretisht për të parë nëse mund të bëjmë më shumë në fushën e turizmit, sepse mendoj se norvegjezët do të ndiheshin në Kosovë si në shtëpinë e tyre, me male, fshatra të bukur, njerëz shumë mikpritës, ushqim shumë të mirë, dhe shumë ngjarje të mira kulturore që ndodhin gjatë gjithë vitit. Ne kemi fluturime direkte nga Oslo për në Prishtinë disa herë në javë. Pra, tani pas pandemisë, mendoj se është koha që ne të lidhim Norvegjinë dhe Kosovën shumë më fort se sa kemi mundur në të kaluarën”, tha ai.

i pyetur se a kanë njohuri norvegjezët për Kosovën si vend, ambasadori u përgjigj “edhe po, edhe jo”. Duke kujtuar periudhën e luftës për të cilët norvegjezët kishin mbështetur shqiptarët e Kosovës, Grøndahl thotë se do të dëshironte që të shihte më shumë njerëz nga vendi i tij që të vizitonin Kosovën.

“Kosova absolutisht ishte në mendjen e të gjithëve në fund të viteve ’90 për shkak të konfliktit, për fat të keq, por kështu është. Pra, mendoj se shumë njerëz ndjenë dhimbje për njerëzit në Kosovë, në atë kohë. Norvegjia ishte një nga vendet e para që e njohu Kosovën dhe ne e kemi mbështetur Kosovën në konsolidimin e saj si shtet i ri evropian. Pra, në këtë kuptim, mendoj se për Kosovën ka fjalë të mira në Norvegji. Por si destinacion turistik, mendoj se duhet të bëjmë shumë më tepër. Kemi afërsisht 17,000 norvegjezë me prejardhje nga Kosova. Ata po bëjnë një punë të shkëlqyeshme duke folur shumë për Kosovën në Norvegji, por unë do të doja të shihja më shumë njerëz që vijnë këtu, ngase nuk është shumë larg, njerëzit do të ndiheshin të sigurt dhe mirë në Kosovë. Edhe mua gjithashtu më pëlqejnë malet, dhe këto vende për të cilat folëm. Pra, mendoj se kjo është absolutisht e mundshme që të bëhet më shumë”, përfundoi ambasadori Grøndahl.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments