Marketet në Kosovë këto ditë janë vërshuar nga shumë qytetarë në panik që po blejnë vaj në sasi më të mëdha se zakonisht. Ata po paguajnë 3,49 euro për një litër, më shumë se dyfishin e çmimit që ishte para 2 ditësh. Gazeta Express merr vesh se me këtë çmim po shitet vaji që shitësit e kanë siguruar me çmim prej 1 euro e 60 centë
Sot një litër vaj që qytetarëve iu kushton 3,49 euro, vetë shitësit të cilët e importojnë, e blejnë për gati 2 euro më lirë. Një burim nga distribuesit e vajit i tha Gazeta Express se një litër vaj që qytetarëve po u shitet më shumë se dyfish më shtrenjte, nga shitësit është siguruar për 1,60 euro.
Cështja e çmimit të vajit u bë tema më e komentuar në vend nga mbrëmë kur u bë e ditur se vaji në markete po shitet me çmim astrononomik. Njohës të ekonomisë në vend nuk kanë vërejtur ndonjë ngritje të çmimit në tregjet botërore ndërkohë që prodhues në Kosovë thanë se nuk ka vend për panik pasi në treg ka sasi të mjaftueshme edhe për muaj të tërë.
Mashtrimin e tregtërave e ka vërejtur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili e pranon se aktualisht çmimi i vajit në Kosovë është “më i lartë në botë”. Kurti e vizitoi rafinerinë e vetme të përpunimit të vajit në vend, nga ku tha se çmimi i këtij produkti sot është “artificial” dhe “i paarsyeshëm”.
Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku e quan të mjerueshme këtë situatë.
Marketet që importojnë vaj, deri këto ditë regjistronin 2 deri në 3% fitim nga shitja e një litri të vajit.
Qeveria dhe mekanizmat e saj të tregut “nuk i shohin këto lojëra të tregtisë, sepse nuk duan t’i shohin”, thotë Selaniku. “Sepse gjithmonë arsyetohen se tregun e paskemi rregullator. Tregu nuk mundet kurrë me qenë rregullator derisa nuk zbatohen ligjet mbi tregun”.
“Kjo ka të bëjë me njerëzit që dëshirojnë të përfitojnë nga një krizë botërore dhe jo nga gjendja reale në vendin tonë”, tha ai, duke shtuar se këto çmime “duhet të ç’fryhen”.
Kaçaniku thotë se as Qeveria nuk po i përmbush detyrat e saj.
“As Qeveria e as Ministria e Tregtisë nuk e bëjnë as hapin e as mundin më të vogël… Ky është mjerim. Ky është një sinjal shumë i keq”, tha ai për Express.
Një litër vaj luledielli apo misri tani kushton gati sa disa prej llojeve të vajit të ullirit. Kaçaniku thotë se “kurrkund në botë” nuk ndodh kjo. “Vaji i ullirit nis nga ky çmim, besa edhe një euro më lirë, dhe shkon deri te çmimi nën 10 deri në 11 euro”.
Të shqetësuar me çmimin e vajit që tashmë ka shkuar në nivele të paarritura më parë, qytetarët megjithatë po nxitojnë të blejnë edhe miell e sheqer, produkte thelbësore, çmimet e të cilave ka të ngjarë se po e ndjekin të njëjtën trajektore.
Kreu i organizatës për mbrojtjen e konsumatorëve beson se Qeveria mund t’i mbrojë konsumatorët “shumë lehtë”. Selatin Kaçaniku tha se konsumatorët japin mjaft para për shtetin që shteti mund t’i përdor për t’i mbrojtur ata.