Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeMarina Vlorë fut qytetin në hartën e turizmit detar të Mesdheut

Marina Vlorë fut qytetin në hartën e turizmit detar të Mesdheut

– Investimi do të kushtojë rreth 3 miliardë lekë
– Do të krijohen mbi 500 vende të reja pune
– Do të gjenerohen deri në 20 milionë euro në vit për ekonominë vendase

Pjesë e buxhetit të deklaruar nga qeveria e Shqipërisë për vitin 2022 është edhe një port i ri turistik në qytetin e Vlorës. Është folur për përparësitë e tij krahasuar me portin aktual, për peshën që do të zërë në ekonomi dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.

Marina Vlorë do të ndjekë modelin e qendrave të ngjashme nëpër Europë, kurse në rajon mund të përmendim marinat në Malin e Zi apo Kroaci si më të afërtat. Sipas parashikimeve, kur të fillojë funksionimi, kjo marinë në vetvete do t’i sjellë ekonomisë së Vlorës rreth 4,3 milionë euro në vit të ardhura. Nëse marrim parasysh edhe shërbimet ndihmëse që do ta shoqërojnë atë, si p.sh. hoteleria, baret dhe restorantet apo edhe turizmin lokal, vlera e përgjithshme që do të krijohet për komunitetin arrin mbi 20 milionë euro në vit. Këto shifra tregojnë rëndësinë e vërtetë që do të ketë ky zhvillim për Vlorën dhe jo vetëm.

Interesit të publikut për këto zhvillime i vjen në ndihmë Ervin Bacaj. Ai është drejtuesi i projektit për portin e ri ose siç njihet ndryshe Marina Vlorë. Ervini shpjegon për herë të parë konceptin e një sipërmarrjeje të tillë dhe rëndësinë strategjike të saj.

  1. Çfarë kuptojmë me Marina Vlorë?

Shpjegimi më i thjeshtë do të ishte porti i ri turistik që pritet të fillojë nga puna në Vlorë, ndërsa termi në vetvete përfshin të gjitha funksionalitetet e një porti modern dhe shërbimet ndihmëse për mjetet lundruese që e vizitojnë, për turistët që sjellin, si dhe për publikun e gjerë. Në rajonin tonë, por edhe në mbarë botën, marinë është koncepti modern i portit ekskluzivisht për turizëm, i përshtatur për jahte të madhësive të ndryshme dhe anije turistike. Gjatë kohës që qëndrojnë të ankoruara, këto mjete kanë nevojë për t’u furnizuar me karburant, ujë dhe elektricitet. Udhëtarët e ardhur me to, mund të dëshirojnë shërbime si hoteleri, gastronomi, argëtim, kulturë, vizita në qytet e më gjerë, dhe marina është në gjendje t’ua ofrojë të gjitha këto.

  • Pra kemi dhe simotra të Marinës Vlorë në vende të tjera?

Do të thoshim se jemi të vonuar madje. Sot Mali i Zi ka disa marina të njohura, Kroacia natyrisht ka marina me famë ndërkombëtare, pa përmendur Greqinë dhe pafundësinë e plazheve apo ishujve të saj të njohur. Marina shërben si një motor zhvillimi për qytetin dhe zonën përreth. Punësimi në profile të ndryshme gjatë ndërtimit dhe funksionimit të saj, ekonomitë ndihmëse të lidhura me aktivitetin e saj, promovimi ndërkombëtar elitar që i bëhet bregdetit, janë disa prej kontributeve madhorë të marinës për qytetin ku ndodhet.

  • Cilët e sjellin këtë projekt
    Porti turistik vjen si një produkt i ekspertizës së kompanive prestigjioze ndërkombëtare në fushën e menaxhimit të marinave si D-Marine. Shërbimet e ofruara do ta ngrenë Marinën Vlorë në nivelin e strukturës më pesë yje. Ajo do të reklamohet në panaire dhe media ndërkombëtare të specializuara, fakt që do të kontribuojë në njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të qytetit të Vlorës si destinacion turistik.

Koncepti i Marines është zhvilluar nga kompani angleze me reputacion të padiskutueshëm në këtë fushë. Vlera e përgjithshme e investimit do të jetë 2.8 miliardë lekë, e shtrirë në 3-4 vite.

  • Ku qëndron Marina Vlorë në lidhje me të gjithë panoramën e zonës?

Marina plotëson natyrshëm kërkesat për ankorim të velierave, jahteve dhe mjeteve të tjera turistike, njëkohësisht ofron shërbimet që i japin penelatën finale projektit të shëtitores Lungomare, në gjatësinë e saj të sotme dhe vazhdimit që do të ketë nesër. Banorët e Vlorës dhe turistët do të kenë akses të drejtpërdrejtë e pa kufizime në shërbimet detarë në zemër të qytetit. Do të shijojnë magjinë e mjeteve lundruese të të gjithë flamujve, si në Portofino, Monte Karlo e të tjera qytete të mirënjohura.

  • Cfarë mund të presin banorët e zonës nga Marina Vlorë?

Përfitimet për popullsinë dhe ekonominë lokale janë në disa plane. Fillimi i punimeve do të hapë menjëherë vende pune, të cilat parashikohen të arrijnë ne disa qindra, në specialitetet inxhinier marine, inxhinier navigimi, inxhinier konstruktor, teknologji informacioni, arkitekt, financier, ekonomist dhe të tjera. Më pas, funksionimi i njësive përbërëse të portit do të kërkojë një numër të madh menaxherësh të shërbimeve të ndryshme dhe punonjës të të gjitha niveleve.

Marina Vlorë llogaritet që të shtojë numrin e turistëve në Vlorë me 200.000 persona në vit, pasi hoteleria do të jetë e standardit me 4 dhe 5 yje dhe qyteti do të futet në itineraret e rekomanduar të udhëtimeve luksoze. Porti i ri do të jetë veçse porta hyrëse e këtyre turistëve drejt pikave turistike të Vlorës, madje edhe të zonave më të afërta. Atëherë do të flasim vërtet për turizëm elitar në Vlorë dhe për gjithë përfitimet nga pushues të atij kalibri.

Ne kemi llogaritur që gjithë aktiviteti i Marinës Vlorë do t’i sjellë Vlorës rreth 4.3 milionë euro të ardhura në vit. Po të llogarisim edhe aktivitetin ekonomik të hotelerisë, restoranteve, furnizimin dhe mirëmbajtjen e mjeteve lundruese, vlera vjetore që përfiton ekonomia arrin deri në 20 milionë euro.

Duhet theksuar edhe që veprimtaritë e ndryshme argëtuese, kulturore apo sportive që do të zhvillohen në mjediset e portit të ri, do të mirëpresin edhe qytetarët e Vlorës apo vizitorët e ndryshëm që e kanë Vlorën në planet e tyre. Produktet dhe shërbimet e nevojshme për veprimtarinë e saj, Marina Vlorë do t’i sigurojë nga tregu vendas. Krahas kësaj, ajo do t’i përkushtohet promovimit të prodhimeve ushqimore dhe artizanale të zonës, vlerave historike dhe kulturore të rajonit të Vlorës.

 

 

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments