Maqedonia e Veriut e ka mposhtur Islandën 3:1 të dielën në Shkup, duke e siguruar një vend në play-off në përpjekje për të marrë pjesë për herë të parë në një Kampionat Botëror.
Maqedonisë së Veriut i duhej fitorja për ta zënë vendin e dytë në Grupin J, që siguron play-off’in, dhe shteti fqinj i Kosovës e arriti pikërisht këtë.
Gjermania, e cila e mundi 4:1 Armeninë në ndeshjen e fundit, e siguri paraprakisht kualifikimin në Botërorin Katari 2022 si fituese e grupit me 27 pikë.
Maqedonasit shkojnë në play-off si vendi i dytë në grup me 18 pikë, një më shumë se Romania që po shpresonte ende pasi e mundi Lihtenshtajnin.
Maqedonia do të kërkojë ta përsërisë suksesin e Euro 2020, ku e siguroi kualifikimin për herë të parë pasi e mundi Kosovën në play-off.
Ylli shqiptar i Leeds United Ezgjan Alioski e hapi serinë e golave në minutën e 7-të, kur shënoi nga një kënd i vështirë me një goditje të fuqishme.
Jon Dagur Thorsteinsson i tronditi vendasit kur shënoi për ta barazuar rezultatin në Arenën Kombëtare në Shkup në minutën e 54-të.
Por Elif Elmas e ktheu epërsinë e maqedonasve pas vetëm nëntë minutave, kur e futi topin në rrjetë nga afërsia pas një rrëmuje para portës islandeze.
Ylli i Napolit e vulosi një vend në play-off për Maqedoninë e Veriut me golin e dytë personal dhe për epërsinë e dyfishtë për vendasit në minutën e 87-të./Gazeta Express/