Nëse nuk do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme Burim Berisha, deri në fund të këtij mandati do t’i mbush plot 20 vjet pushtet si kryetar i Fushë Kosovës.
Ky është mandati i pestë për Berishën në krye të kësaj komune.
Ai fitoren në këto zgjedhje e arriti duke e mposhtur në raundin e dytë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje Enver Bajçinca.
Berisha ka marrë 65.45 përqind derisa Bajçinca 34.55 përqind.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës tre herë fitoren e kishte siguruar në raundin e parë.
Në vitin 2017, ai kishte marrë 63.84 përqind të votave e po ashtu edhe në 2013-tën garën e kishte mbyllur në raundin e parë me 64.33 përqind.
I njëjti fat e përcolli atë edhe në vitin 2009 duke arritur të marrë në raundin e parë 56.99 përqind të votave, përball kandidatit të PDK-së Ahmet Krasniqi, të cilin nuk kishte arritur ta mposhte në raundin e parë në vitin 2007.
Në 2007 Burim Berisha, i është dashur që garës ti hyj edhe në raundin e dytë pasi që në të parin nuk kishte marrë më shumë se përball kandidatit të njëjtit kundërkandidat atë të Partisë Demokratike të Kosovës Ahmet Krasniqi.
Pas fitores në zgjedhjet e 14 nëntorit kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se nuk ka nder më të çmuar e përgjegjësi më të madhe sesa shërbimi ndaj qytetarëve.
“Nuk ka nder më të çmuar e përgjegjësi më të madhe se sa shërbimi ndaj jush. Përsëri triumfoi modeli ynë unik i qeverisjes së përbashkët”.
Ndërkaq në komunat e tjera ka pasur thyerje të bastioneve.
Për shembull Naim Ismajli, i Partisë Demokratike të Kosovës i cili ka udhëhequr me komunën e Shtimës është mposhtur pas 21 vitesh.
Ai humbi garën në raundin e dytë përball kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje Qemajl Aliut.