Janë ulur pak tensionet mes Shteteve të Bashkuara e Francës pas takimit mes presidentëve Joe Biden e Emmanuel Macron në Romë. I pari e përmendi Zotin për ta siguruar homologun se nuk ishte në dijeni për marrëveshjen përçarëse, por duket se francezi nuk u bind fort.
Udhëheqësit e dy fuqive botërore shkëmbyen fjalë të ngrohta dhe patën gjuhë trupore miqësore, por presidenti francez më vonë tha se besimi i Francës duhet të rifitohet me vepra, jo me fjalë, shkruan Reuters.
Marrëdhëniet mes dy shteteve që janë aleate të vjetra u tensionuan, kur Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe arritën marrëveshje me Australinë për nëndetëse me energji bërthamore. Pakti i dha fund një marrëveshjeje tjetër që Australia kishte me Francën, duke e zemëruar këtë të fundit.
“Mendoj se ajo që ndodhi ishte – që ta përdor një shprehje angleze – ajo që ne bëmë ishte e ngathët. Nuk u bë me shumë mirësi. E kisha përshtypjen se gjëra të caktuara kishin ndodhur, por që nuk kishin ndodhur”, tha presidenti amerikan.
“E kisha përshtypjen se Franca kishte qenë e informuar një kohë të gjatë se marrëeshja (me Australinë) nuk ishte duke u zhvilluar. Unë, i sinqertë para Zotit, nuk e dija se ju nuk keni qenë të informuar”, tha Bideni para Macronit.
Sidoqoftë, duket se presidentit francez nuk i lanë shumë përshtypje fjalët e homologut amerikan. “Besimi është si dashuria: deklaratat janë të mira, por dëshmitë janë më të mira”, tha Macroni.
“Ajo që vërtet ka rëndësi tani është se çfarë do të bëjmë së bashku në javët, muajt dhe vitet e ardhshme”, shtoi ai.