Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të martë prezantoi një plan prej 30 miliardë eurosh për investime 5-vjeçare për zhvillimin e teknologjisë inovative dhe aktivitetit industrial, përfshirë ndërtimin e reaktorëve të vegjël bërthamorë, veturave elektrike e aeroplanëve më pak të dëmshëm për mjedisin.
Qëllimi i planit “France 2030”, të financuar nga shteti, është që të nxitet rritja ekonomike e Francës gjatë dekadës së ardhshme në kohën e rritjes së konkurrencës botërore me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara, tha presidenti francez. Sipas tij, këto të holla do të fillojnë të shpenzohen nga viti i ardhshëm.
“Nëse ne, evropianët, sidomos ne, francezët, duam që të jemi në gjendje për ta zgjedhur të ardhmen tonë, është kyçe që ta fitojmë betejën për pavarësi dhe për kushte më të mira të jetesës”, tha Macron.
Në plan përfshihen 8 miliardë euro për zhvillimin e teknologjisë energjetike, e cila do të ndihmonte në pakësimin e lirimit të gazrave, shkruan Independent,
Macron shtoi se përmes këtij plani do të financohet edhe ndërtimi i reaktorëve të vegjël bërthamorë në Francë, shtet që 70 për qind të energjisë elektrike e siguron përmes energjisë bërthamore.
Presidenti francez u zotua se deri në vitin 2030, Francën do ta bëjë udhëheqëse të energjisë nga hidrogjeni, që mund të përdoret në industri e që nuk liron dyoksid karboni.
Në plan përfshihet edhe ndarja e 4 miliardë eurove për prodhimin e rreth dy milionë veturave elektrike dhe hibride deri në fund të dekadës.