Presidenti francez Emmanuel Macron ka folur sërish në telefon me homologun e tij rus Vladimir Putin, në një bisedë që zgjati 1 orë e 45 minuta, tha presidenca franceze.
Një zyrtar francez tha se ende s’i kishin detajet se çka është folur mes dy udhëheqësve, por se pas kësaj telefonate përshtypja e Macronit ishte që Putin e ka në qëllim ta merrte gjithë Ukrainën, raporton BBC.
Macron është ndër liderët botërorë që kanë biseduar me Putinin ditët e fundit, duke shpresuar të ndërmjetësojnë një armëpushim në Ukrainë.
Këtë të diel, Putin ka folur edhe me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, i cili i ka bërë thirrje për ndërprerje urgjente të armiqësive.
Sipas Kremlinit, Putin i ka thënë Erdoganit se negociatorët ukrainas duhet të kenë një “qasje më konstruktive” në bisedime.
“U nënvizua se pezullimi i operacionit special është i mundur vetëm nëse Kievi ndalon operacionet ushtarake dhe përmbush kërkesat e njohura ruse”, tha Kremlini.
Rusia e quan agresionin e saj në Ukrainë një “operacion special”.