Qyteti perëndimor ukrainas, Lviv, është bombarduar disa herë gjatë të shtunës. Sipas “The Guardian”, pak para se të nisnin sulmet, Presidenti amerikan Joe Biden ndodhej disa kilometra më larg, në kufirin me Poloninë, duke vizituar një kamp refugjatësh.
Një prej bombave përfundoi pranë qendrës së telekomunikimit të qytetit. Autoritetet konfirmuan të paktën tre shpërthime të fuqishme ndërsa njerëzit nxituan të strehoheshin në bunkerë.
Por goditja e qytetit kufitar ndërsa në anën tjetër ndodhej presidenti amerikan – i cili më parë e quajti “kasap” Putinin – shihet si një mesazh. Lufta vazhdon prej më shumë se një muaji në Ukrainë. Një ditë më parë, Kremlini tha se kishte përfunduar faza e parë e atij që quan “operacion special” dhe fokusi tani do të drejtohej nga krahinat separatiste në lindje të Ukrainës, të cilat kanë shpallur pavarësinë.