Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka kërkuar votën për kandidatin e partisë së tij për Prishtinën Përparim Rama.
Ai ka thënë se e hëna e javës së ardhshme do të hapë një derë të re për prishtinasit, atë të shpresës që kanë kërkuar që tetë vjet”.
Abdixhiku para mbështetësve dhe Ramës foli edhe për bisedat që kanë pasë mes vete dhe vizionin e tyre për Prishtinën.
“Në bisedat tonë e kuptova se sa shumë e do ti Prishtinën. Mbi të gjitha e kuptova sa shumë ka nevojë kryeqyteti për ty. Ti dhe Prishtina Përparim jeni një. Muaj më parë ishim veç ne të dy, por shiko përreth ku kemi mbërritur”.
“Ne bëmë një fushatë të drejtë. Ju takuam dhe ju dëgjuam. Biseduam gjatë për çdo brengë tuaj. Në çdo dorështrengim ne iu dhamë edhe programin tonë. Folëm për shkolla e çerdhe, për parqe dhe parkingje, për muze, salla, rrugë e sheshe. Folëm për një Prishtinë më ndryshe ku jeta është përvojë, vizita është kujtim”.
Abdixhiku tha duke votuar Ramën, qytetarët votojnë për një Prishtinë të tillë.
“Ata që nuk kërkojnë shumë, që nuk ëndërrojnë shumë, që s’mundën shumë, natyrisht që dyshojnë për një Prishtinë të tillë, se nuk e besojnë vetë, nuk e besojnë as potencialin e jashtëzakonshëm që ka Prishtina”.