Friday, November 1, 2024
HomeLajmeLojërat Mesdhetare: Çfarë përfitime mund t’i sjellin Kosovës investimet prej 250 milionë...

Lojërat Mesdhetare: Çfarë përfitime mund t’i sjellin Kosovës investimet prej 250 milionë eurosh?

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” e kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës ta rrisë buxhetin për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), shkruan Radio Evropa e Lirë.

Në projektbuxhetin për vitin 2024, Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 88 milionë euro për MKRS-në, e cila do të merret me organizimin e lojërave që do të mbahen për herë të parë në Kosovë.

“Për vitin 2024, vetëm për investime kapitale kemi ndarë 58 milionë euro në sport dhe infrastrukturë, sepse festën dhe gëzimin për kandidaturën e suksesshme për Lojërat Mesdhetare 2030, duhet ta përcjellim me investime të menjëhershme dhe përgatitje të hershme për një organizim të suksesshëm”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një seancë parlamentare më 16 nëntor.

Kurti tha se MKRS-ja do të vazhdojë të gëzojë buxhet më të madh në vitet e ardhshme, deri në përmbushjen e planit të investimeve që kapin vlerën e 250 milionë eurove.

Më 8 shtator, Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) e shpalli Kosovën nikoqire të kësaj ngjarje sportive, që përfshin disa lloje sportesh, si xhudo, basketboll, boks, futboll, çiklizëm, etj.

Nga buxheti i shtetit, për gjashtë vitet e ardhshme, është planifikuar të investohen deri në 250 milionë euro. Kjo pasi që për organizimin e këtyre lojërave nevojitet infrastrukturë të cilën Kosova aktualisht nuk e posedon.

Me këto mjete financiare do të ndërtohen fusha sportive, stadiume, palestra, fusha tenisi, kompleks i pishinave olimpike dhe infrastrukturë përcjellëse.

Sa mund të përfitojë Kosova pas këtyre investimeve?

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Daulina Osmani, thotë për Radion Evropa e Lirë se përfitimet financiare të këtyre investimeve do të vërehen gjatë viteve 2030-2040.

“Infrastrukturën të cilën po e ndërtojmë…. menjëherë në vitin 2031 kemi interesim nga Federata e Hendbollit për organizim të kampionatit botëror të hendbollit. Për këtë ne nuk do të kemi nevojë për investime infrastrukturore, mirëpo vazhdimisht do ta kemi mundësinë të sjellim sportistë dhe turistë në Kosovë”, thotë Osmani.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Daulina Osmani.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Daulina Osmani.

Investimet për organizimin e Lojërave Mesdhetare do t’i sjellin Kosovës infrastrukturë për zhvillimin e 24 sporteve të ndryshme.

Ky investim do ta shndërrojë Kosovën, sipas Osmanit, në një qendër të organizimit të aktiviteteve ndërkombëtare sportive.

Numri i sportistëve pjesëmarrës në Lojërat Mesdhetare, në rritje

Në Lojërat Mesdhetare të cilat pritet të mbahen nga 24 korrik deri më 5 gusht 2030, Osmani thotë se presin pjesëmarrjen e pesë mijë sportistëve.

Çeku: Kosova shpallet nikoqire e Lojërave Mesdhetare më 2030

Sipas Osmanit, ky numër është më i madh sesa në Lojërat Mesdhetare që janë mbajtur në Tarragona të Spanjës dhe në Oran të Algjerisë. MKRS-ja pret që Kosovën ta vizitojnë mbi 18 mijë njerëz në atë kohë.

“Do të jetë mundësi ideale për bizneset e gastronomisë që të ringjallen e të përfitojnë në atë kohë”, thotë Osmani.

Në Lojërat Mesdhetare marrin pjesë 26 vende nga tri kontinente. Numri i sportistëve në Lojërat Mesdhetare e cila zhvillohet çdo katër vjet është rritur. Së fundi, në lojërat që u zhvilluan më 2022, në Oran të Algjerisë, morën pjesë 3.298 sportistë.

Kosova nuk ka bregdet, por iu lejua të kandidojë falë disa ndryshimeve në statut të ICGM-së, të cilat ua mundësuan edhe vendeve pa bregdet t’i organizojnë Lojërat Mesdhetare.

Shqipëria është zotuar se do ta ndihmojë Kosovën në organizimin e lojërave, duke ia ofruar bregdetin e vet për garat në sportin e lundrimit.

Osmani thotë se Kosova duhet të përkujdeset që të ketë edhe pako turistike në dispozicion për turistët që vijnë t’i ndjekin Lojërat Mesdhetare..

“Në kuadër të këtyre parapërgatitjeve, pa dyshim që ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment për t’i prekur sektorët tjerë. Turizmi është pika kyçe. Ne duhet të kemi pako të veçantë turistike”, thotë Osmani.

Mushinca: Lojërat Mesdhetare promovojnë vendin

Ish-portieri i Kombëtares së Kosovës në futboll, njëherësh njohës i zhvillimeve sportive, Kushtrim Mushinca, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto ngjarje të mëdha sportive sjellin përfitime të shumta.

“Si vend kemi investuar miliona euro për të bërë reklama për ta promovuar vendin tonë, pa ndërtuar diçka, pa ndonjë kthim në atë investim. Me organizmin e Lojërave Mesdhetare infrastruktura do të mbetet për sportistët dhe për ngjarjet tjera të radhës”, thotë Mushinca.

Ai shton se kjo infrastrukturë do t’ia mundësojë Kosovës që në të ardhmen të organizojë edhe ngjarje të tjera sportive.

Mushinca beson se Lojërat Mesdhetare do të sjellin shumë vizitorë të huaj në Kosovë, edhe pse nuk e kanë popullaritetin si të disa eventeve të tjera sportive, si Lojërat Olimpike.

“Çdo pjesëmarrës do të ketë të afërm të tyre që i përcjellin dhe vijnë në Kosovë. Krijohen kontakte gjatë kësaj periudhe, që pastaj mund të përfitojnë qoftë bizneset, qoftë klubet sportive, qoftë sportistët. Kthimi në investim do të jetë i vazhdueshëm”, thotë Mushinca.

Mushinca beson se organizimi i Lojërave Mesdhetare nga Kosova do t’i bëjë kureshtarë qytetarët e shteteve të ndryshme që të vinë ta vizitojnë vendin qoftë edhe për herë të parë.

“Po nisem nga një fakt, kur e kujtoj me shumë nostalgji ndeshjen e parë që Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar me Kombëtaren e Haitit. Pavarësisht që në atë kohë ka pasur shumë ndeshje që janë luajtur, fokusi ka qenë në këtë ndeshje, për shkak se ishim vend i ri”, thotë Mushinca.

Ndeshja e parë miqësore ndërkombëtare, me lejen e Federatës Botërore të Futbollit, ishte zhvilluar më 5 mars 2014 në Mitrovicë, ndërmjet Kosovës dhe Haitit.

Pas 51 vjetëve, Lojërat Mesdhetare kthehen në Ballkanin Perëndimor

Ballkani Perëndimor do të jetë nikoqir i Lojërave Mesdhetare 2030 sërish pas 51 vjetësh. Për herë të fundit ato ishin zhvilluar në këtë rajon më 1979, në Split të Kroacisë.

Sipas zëvendësministres Osmani, kjo do të jetë një mundësi e mirë që qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe shteteve tjera ta vizitojnë Kosovën.

“Udhëtimi në kontinente të tjera – qoftë në Amerikë, qoftë në Azi – për të përcjellë ngjarje sportive është më i kushtueshëm dhe njerëzit hezitojnë që të shkojnë. Në rastin e Kosovës do t’i jepet rast shumë njerëzve të vijnë në Kosovë, pasi është [destinacion] më pak i kushtueshëm”, thotë Osmani.

Ku janë zhvilluar në të kaluarën Lojërat Mesdhetare?

Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare i cilëson Lojërat Mesdhetare si ngjarjen më të rëndësishme sportive pas Lojërave Olimpike.

Megjithatë, këto lojëra nuk tërheqin shumë shikues në përgjithësi dhe nuk gëzojnë mbulim në mediat më prestigjioze botërore.

Në vitin 2018, Lojërat Mesdhetare ishin organizuar nga rajoni katalonas të Spanjës, Tarragona. Tarragonës i kushtuan ato 70 milionë euro, 81 për qind e të cilave erdhën nga buxheti i shtetit.

Tarragona ngeli e pakënaqur pas lojërave, pasi palestrat dhe stadiumet i mbetën pothuajse të zbrazëta, edhe pse ofroi bileta falas. Pra, nuk pati kthim pozitiv në investim, sipas gazetës katalonase Sport.

Të drejtën për transmetim të Lojërave Mesdhetare në Tarragona nuk e blenë televizionet private. Ato u transmetuan vetëm nga katër televizione publike: RTVE, TV3, TAC12 dhe Xarxa, që simbolizoi mungesën e interesimit publik.

Nikoqirja e fundit e Lojërave Mesdhetare, të zhvilluara në vitin 2022, ishte Algjeria. Raportet përfundimtare të organizimit të këtyre lojërave, që përfshijnë edhe përfitimet ekonomike, nuk janë publikuar ende.

Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës thonë se nuk kanë marrë shumë informacione nga këto dy vende nikoqire të Lojërave Mesdhetare, por shtojnë se presin vizitorë e mbulim të madh të kësaj ngjarje nga mediat kur ato të zhvillohen në Kosovë.

Daulina Osmani thotë se, sipas informacioneve që kanë, Lojërat Mesdhetare 2022 në Algjeri i kishin përcjellë mbi 800 gazetarë.

“Këto lojëra për Kosovën janë më të mëdha se Lojërat Olimpike për Francën nëse i shohim në një paralele për nga madhësia e vendit, numri i popullatës, eksperienca, statusi ekonomik që e kemi si vend”, thotë Osmani.

Investimi i Kosovës në organizimin e Lojërave Mesdhetare është investimi më i madh në sport nga një qeveri kosovare që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Lojërat Mesdhetare u themeluan në vitin 1951 dhe zhvillohen çdo katër vjet me përkrahjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Kosova u pranua në ICMG më 2015 dhe mori pjesë për herë të parë në Tarragona 2018, në Spanjë.

Çfarë kthimi në investim pati “Manifesta”?

Vitin e kaluar në Kosovë u mbajt një tjetër ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare, këtë herë në fushën e kulturës dhe artit – Bienalja Evropiane Nomade, Manifesta.

Një raport i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP) vuri në pah se për çdo euro të investuar janë kthyer 2.77 euro.

Sipas këtij raporti, Kosova investoi 3.7 milionë euro për organizimin e kësaj ngjarjeje, ndërsa 1.7 milion ishin investuar nga donatorët.

Gjatë 100 ditëve sa zgjati Manifesta, Kosova u vizitua nga mbi 800 mijë vizitorë, ndikimi në ekonomi i të cilëve vlerësohet të ketë qenë 20.2 milionë euro.

Vepra e artistes japoneze, Chiharu Shiota, në Hamamin e Madh të Prishtinës. Kjo vepër është realizuar në kuadër të “Manifesta 14”.

Sipas këtij raporti, 99 për qind e vizitorëve janë shprehur se do ta vizitojnë sërish Kosovën, ndërsa 100 për qind janë shprehur se do ta sugjerojnë Kosovën për turizëm te të tjerët.

Rreth 60 për qind e vizitorëve ndërkombëtarë që kanë vizituar Prishtinën kanë qëndruar në akomodim me pagesë. Shumica e vizitorëve ishin nën moshën 35-vjeçare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments