Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, gjatë qëndrimit në Hiroshimë, ku mori pjesë në aktivitetet përkujtimore, kushtuar viktimave të bombës atomike të hedhur 79 vjet më parë, bashkë me ambasadorin Sabri Kiçmari, kryetarin e Istogut, Ilir Feratin dhe anëtarët e Presidencës, Bekim Kupina dhe Dora Musën, u pritën nga kryetari i Hiroshimës, Kazumi Matsui.
“Ftesën e kryetarit Matsui që të bëhemi anëtarë të Komunave për Paqe (Mayors for Peace), ku ai ishte Kryetar, e mirëpritëm me konsideratë dhe nderim për neve dhe për shtetin tonë”, ka shkruar Lladrovci.
Shkrimi i plotë i Lladrovcit në rrjetin social:Delegacionit tonë, të cilit i printe SH.T.Z. Sabri Kiçmari, ambasador, na u rezervua pritje zyrtare te kryetari i Hiroshimës, Kazumi Matsui, me ç’rast, u njohëm shkurt me qytetin, të kaluarën, rilindjen e tij si dhe marrëdhëniet e Hiroshimës me Kosovën. Z. Matsui na falënderoi për pjesëmarrjen në aktivitetet përkujtimore kushtuar viktimave të bombës atomike të hedhur 79 vjet më parë, ku shquhen mesazhet e paqes së qëndrueshme që kurrë të mos përsëritet Hiroshima. Ftesën e kryetarit Matsui që të bëhemi anëtarë të Komunave për Paqe (Mayors for Peace), ku ai ishte Kryetar, e mirëpritëm me konsideratë dhe nderim për neve dhe për shtetin tonë. Komunat për Paqe (Mayors for Peace) ka në gjirin e vet 8,403 komuna anëtare nga 166 shtete. Me z. Feratin prezantuam shkurt komunat tona me mundësitë, synimet zhvillimore, bashkëpunimin si dhe shprehëm gatishmërinë që të jemi pjesë e Komunave për Paqe në nivel global. Në kuadër të agjendës, vizituam Shtëpinë 400-vjeçare të samurajëve, ku u ftuam për çaj dhe u njohëm me traditën e mikpritjes japoneze, traditën e samurajëve dhe për shtëpitë e tyre. Në shenjë mirënjohje dhe nderimi, z. Matsui ia dhurova një punim dore të Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave, njëherësh i shpreha falënderim për mikpritjen dhe miqësinë e Hiroshimës me popullin tonë.
tonë.