Saturday, October 19, 2024
HomeLajmeKosovaLladrovci i shkruan letër Hoxhajt, i kërkon mos të kandidojë për kryetar...

Lladrovci i shkruan letër Hoxhajt, i kërkon mos të kandidojë për kryetar të PDK-së

Kryetari i Drenasit nga radhët e PDK-së, Ramiz Lladrovci, i ka kërkuar Enver Hoxhajt që të mos kandidoj për kryetar të partisë.

 

Arsye për këtë, sipas Lladrovcit, është sepse kandidati tashmë i konfirmuar, Memli Krasniqi, ka shpallur kandidaturën për të parin e partisë para Hoxhajt, dhe se garimi mes këtyre dy figurave nuk do t’i sillte unitet partisë.

“Duke qenë se z. Memli Krasniqi e ka publikuar kandidaturën para jush, dalja juaj me kandidaturën e dytë, nuk mendoj se i sjell as unitet, as plotësim të pritjeve dhe mesazheve të anëtarësisë së gjerë, madje as qëllimit të liderëve tanë që kanë dëshmuar altruizëm dhe vetë sakrifikim për qëllime më madhore”, ka shkruar Lladrovci.

“Motivi i kësaj letre, jo vetëm që është tepër miqësor dhe i sinqertë, por, e konsideroj edhe si vijim i rrugës së përkushtimit të përbashkët, në funksion të unitetit, harmonisë, sepse, gara në këtë kohë, nuk është e shëndetshme. Këtë garë do ta quaja luks të tepruar dhe të gabueshëm, andaj, edhe konsideroj se vetëm kandidatura e z. Krasniqi do t’i plotësonte të pathënat e ditura, për PDK të fortë, unike dhe të qëndrueshme”, shkruan tutje ai.

Sipas Lladrovcit, kandidatura e Memli Krasniqit do t’i plotësonte të pathënat e ditura për një PDK të fortë e të qëndrueshme.

Postimi i plotë i Lladrovcit në Facebook:

Miku im Enver,

Meqenëse koha për kandidatura po rrjedh, megjithatë, po e them mendimin tim për situatën. Jemi para një dite të rëndësishme për PDK-në, anëtarësinë e gjerë, kryesinë dhe qytetarët e vendit, por edhe për themeluesit e këtij subjekti politik. Jemi para ditës së Konventës e cila mund të jetë me unitetit të plotë dhe më pak unitet.

Gjithsesi, para kësaj dite të jashtëzakonshme, gjendeni edhe Ju, si intelektual, si qytetar dhe drejtues i PDK-së, dhe si ushtrues detyre i Kryetarit të PDK-së. Andaj, po të drejtohem me këtë opinion, për këtë ditë.

Ju keni pasur përgjegjësinë dhe peshën më të rëndë kur keni marrë përsipër ta udhëhiqni një subjekt me trashëgiminë që asnjë subjekt nuk e ka në Kosovë. Asnjë subjekt politik në Kosovë nuk mund të lavdërohet me vlerat dhe veprat e mira për Republikën e Kosovës. Kjo përgjegjësi nuk ishte e lehtë. Të lumtë.

Gara në Konventën e jashtëzakonshme, mund të sjell reflektime përtej qëllimit të mirë të saj, anëtarësisë dhe delegatëve për fuqizimin e PDK-së. Mendoj se beteja për kandidatura, për kohën dhe momentin tejet të ndjeshëm kur dy liderët tanë janë padrejtësisht në Hagë, nuk i bëjnë mirë as PDK-së, as kandidaturave.

Duke qenë se z. Memli Krasniqi e ka publikuar kandidaturën para jush, dalja juaj me kandidaturën e dytë, nuk mendoj se i sjell as unitet, as plotësim të pritjeve dhe mesazheve të anëtarësisë së gjerë, madje as qëllimit të liderëve tanë që kanë dëshmuar altruizëm dhe vetë sakrifikim për qëllime më madhore.

Motivi i kësaj letre, jo vetëm që është tepër miqësor dhe i sinqertë, por, e konsideroj edhe si vijim i rrugës së përkushtimit të përbashkët, në funksion të unitetit, harmonisë, sepse, gara në këtë kohë, nuk është e shëndetshme. Këtë garë do ta quaja luks të tepruar dhe të gabueshëm, andaj, edhe konsideroj se vetëm kandidatura e z. Krasniqi do t’i plotësonte të pathënat e ditura, për PDK të fortë, unike dhe të qëndrueshme.

PDK ishte dhe mbetet boshti kurrizor i shtetit dhe shtetësisë së Kosovës, gardiane e vlerave euro-atlantike dhe proceseve me interes nacional, sot e nesër. Ta bëjmë PDK-në më të fortë, edhe ju e keni këtë në dorë, miku im, Enver, ashtu siç e ka edhe z. Memli Krasniqi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments