Kamza Basket ka shënuar fitore ndaj Vllaznisë së Shkodrës me rezultat 82:72 (16:18, 21:10, 22:22, 23:22), në xhiron e dytë të Ligës Unike.
Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë, por mysafirët më pas kishin epërsi të lehtë, duke e përmbyllur çerekun e parë me rezultat 16:18.
Por vendasit rikthehen shpejt, duke barazuar rezultatin dhe për të kaluar në epërsi 29:20, e më pas edhe 37:25, që ishte më e larta në pjesën e parë, e cila përfundoi me shifrat 37:28.
Perioda e tretë ishte tërësisht e barabartë dhe u zhvillua lojë interesante, ku shkodranët ngushtuan epërsinë në 51:44, megjithatë Kamza u shkëput sërish në 59:50, sa ishte rezultati pas 30 minutash.
Vllaznia nuk u dorëzua dhe afruan sërish rezultatin në 73:70, por pa arritur të bëjë më shumë dhe Kamza Basket triumfoi me rezultat 82:72.
Te Kamza Basket u dalluan Matthew Eldrigde me 15 pikë e dhjetë kërcime, Reece Brooks me 18 pikë e shtatë kërcime dhe Abrian Edwards me 14 pikë e tetë asistime, ndërsa te Vllaznia u dalluan Johnathan Stove me 22 pikë e tetë kërcime dhe Davante Cooper me 16 pikë e nëntë kërcime.
Kamza Basket ka dy fitore, ndërsa Vllaznia dy humbje.