Për Lëvizjen Vetëvendosje, ish-pushtetet kishin bërë gjithçka keq sa i përket procesit të dialogut me Serbinë. Ky shabllon i qëndrimit politik të Vetëvendosjes u thye nga Glauk Konjufca, një prej njerëzve më të fuqishëm brenda partisë që drejton Kurti. Kreu i Kuvendit, në maj të vitit 2023, teksa fliste për procesin e negociatave dhe presionin për themelimin e Asociacionit, publikisht i dha merita ish-kryeministrit Isa Mustafa për sigurimin e garancisë së BE-së se Asociacioni s’e shkel Kushtetutën e Republikë së Kosovës.
Konjufca në atë intervistë ka thënë se letra në të cilën jepen garancitë e BE-së se Asociacioni s’krijon nivel të tretë qeverisjeje, s’ka kompetenca ekzekutive, po e ndihmon qeverinë Kurti në proces.
“Nëse keni një qeveri të fuqishme mundeni me e përdorë atë letër, nëse e ke të dobët e gjuan në mbeturina. Ne sot e përdorim, por nuk e përjashtoj që edhe qeveria Mustafa e ka përdorë. Nëse e ka nxjerrë me shumë mundim atë letër, ja jap dorën. Bravo i qoftë. Neve sot po na ndihmon”, kishte thënë Konjufca.
Megjithatë ndryshe nga Konjufca, numri dy i qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi ka një interpretim për këtë letër ‘garantuese’, raporton Express.
“Është e pakuptueshme që më 24 gusht 2015 Mogherini të dërgojë një letër dhe të thotë ‘mos prano asnjë kompetencë ekzekutive’, sepse thotë ‘nuk është qëllimi i BE-së të krijohet një trup ekzekutiv dhe as të ketë nivel të ri të pushtetit’ dhe as 24 orë më vonë, më 25 gusht t’i ulesh në tavolinë dhe nënshkruan një dokument që sipas vetë Vuçiqit dhe Gjykatës Kushtetuese përmban 22 kompetenca ekzekutive ndoshta. Do me thënë, Bashkimi Europian thotë ‘unë t’i hapi dyert, shko dhe mos prano asnjë kompetencë ekzekutive’, ti e ke dokumentin dhe pastaj mjaftohesh…”, tha Bislimi të mërkurën në një intervistë për RTK-në. Po ashtu Bislimi ka theksuar se Mustafa ka manipuluar opinionin kur ka thënë se e ka kërkuar nenin për dërgimin e Draftit në Gjykatë Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Po ashtu Bislimi ka thënë se kërkesa për verifikim të Draftit se a është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës ka qenë e Serbisë.
“Kërkesa që draft-dokumenti i 2015-ës të shkojë në Kushtetuese nuk ka qenë kërkesë e delegacionit kosovar, ka qenë kërkesë e delegacionit të Serbisë. Sepse ata kanë thënë ‘nuk iu besojmë politikanëve të Kosovës, por në atë moment kur Gjykata Kushtetuese thotë që është në rregull, ju duhet ta bëni gjithsesi’. Është manipulim i opinionit kur Isa Mustafa thotë që ‘unë e kam kërkuar nenin për ta dërguar në Kushtetuese’ për arsye se në Bruksel, në negociata, më është thënë që këtë e ka kërkuar Serbia. Ju mund ta pyesni Bashkimin Evropian. Është shumë interesante dhe shumë e pakuptueshme”, tha ai.
Ish-kryeministri Isa Mustafa i ka reaguar sot për këtë çështje Besnik Bislimit duke i quajtur të pavërteta ato që ka deklaruar rreth dokumentit të vitit 2015.
Edhe në tetor të vitit 2021, Mustafa kishte thënë se pas zgjedhjes si kryeministër në fund të vitit 2014, në respet të Ligjit të Marrëveshjes së Parë ka dialoguar për dokumentin e titulluar” “Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë – Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore”. Në këtë document, siç tregonte Mustafa atë kohë, ishte edhe pajtimi i Serbisë së Statuti për Asociacionin trajtohet nga Gjykata Kushtetuese dhe se do të mund të themelohet vetëm kur Kushtetuesja konstaton se është në harmoni me Kushtetutën.
“Si Kryeministër i zgjedhur në dhjetor të vitit 2014, duke e respektuar Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, kam dialoguar për dokumentin e titulluar “Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë – Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore”. Ky dokument, për të cilin Gjykata Kushtetuese shprehet se nuk është as Ligj, as Statut dhe as akt juridik i Qeverisë, do ti paraprinte Dekretit të Qeverisë dhe Statutit të Asociacionit. Dokumenti është nënshkruar më 25 gusht 2015. Elemente të rëndësishme të këtij dokumenti ishin pajtimi i Serbisë se dekreti dhe Statuti i Asociacionit do të trajtohen nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe Asociacioni do të mund të themelohet kur Gjykata Kushtetuese konstaton se është në harmoni me Kushtetutën. Kjo rregull do të vlente për çdo ndryshim të mëvonshëm të Statutit të Asociacionit i cili do ti nënshtrohej vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese. Ekziston edhe letra zyrtare e lëshuar nga përfaqësuesja e lartë e Komisionit Evropian, Frederika Mogerini, në të cilin thuhet se sipas kuptimit të Komisionit Evropian Asociacioni nuk ka fuqi ekzekutive dhe nuk është pushtet i tretë. Nuk kam dialoguar se e kam dashur Asociacionin, por kam dialoguar për zbatimin e Ligjin për ratifikimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare në Kuvendin e shtetit tim”, kishte thënë Mustafa në vitin 2021.
Në letrën e ish përfaqësueses së lartë të BE’së për politikë të jashtme dhe siguri që tash njihet si “Letra e Mogherinit” është përdorur shpesh nga zyrtarët e VV’së përfshirë Kryeministrin Kurti si garanci për Asociacionin.
“I dashur kryeministër, në kontekstin e diskutimeve tona për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, do të doja të konfirmoja se Bashkimi Evropian e kupton se Asociacioni/Bashkësia – në pajtim me Marrëveshjen e parë dhe Ligjin e Kosovë – nuk do të përbëjë shtresë te tretë të qeverisjes dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”, i shkruante asokohe Mogherini Mustafës./